Ka ndodhur barazimi i parë në Kampionatin Evropian “Gjermania 2024”.
Sllovenia dhe Danimarka kanë ndarë pikët në duelin e parë të tyre në Euro 2024.
Ndeshja e zhvilluar në “MHP Arena” të Stuttgartit u mbyll me rezultatin 1:1.
Christian Eriksen kaloi danezët në epërsi në minutën e 17-të të takimit, në një rikthim emocionues në Kampionat Evropian.
Në Evropianin e kaluar, Christian Eriksen pësoi sulm kardiak në ndeshjen e parë të Danimarkës ndaj Finlandës.
E sot, ai u rikthye në këtë skenë dhe arriti edhe të shënojë gol.
Megjithatë, ai ishte i pamjaftueshëm që vendi i tij ta sigurojë fitoren.
Kjo pasi që Janza i Sllovenisë shënoi gol në minutën e 77-të të takimit.
Vjen barazimi i parë në Euro 2024, Sllovenia dhe Danimarka ndajnë pikët / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.