Armando Broja u dëmtua sërish mbrëmë, në ndeshjen e Evertonit kundër Peterborough. Fotot e këtij momenti dhembin vërtet shumë.
Kujtojmë se Broja, pas lëndimit në verë, nuk u rikthye deri me 29 nëntor tek Evertoni (ku është huazuar këtë sezon nga Chelsea), ndërsa u zëvendësua ndaj Bournemouth, pas lëndimit jo serioz.
Mbrëmë u lëndua përsëri ndaj Peterborough. Lëndimi i tij në verë, përndryshe solli bllokimin e transferimit të përhershëm tek Ipswich Town. Ky ishte lëndimi i 7-të në karrierë, ose ndryshe 418 ditë jashtë fushave të blerta, në moshen 23 vjeçare…
Sulmuesi 23 vjeçar duket se përplasi këmbën në një mënyrë të pazakontë, pasi u pengua nga mbrojtësi i Peterborough, Emmanuel Fernandez.
Broja kishte zëvendësuar shënuesin e golit, Beto, në minutën e 65-të të ndeshjes, me Evertonin që kryesonte 1-0. Në minutën e 86-të, ai kaloi portierin e Peterborough, Nicholas Bilokapic, por ndërhyrja e mbrojtësit Fernandez e ndali atë.
Sulmuesi fatkeq shqiptar u duk se ra keq dhe menjëherë tregoi shenja shqetësimi të madh. Ai mori trajtim të gjatë mjekësor në fushë, teksa u pa duke goditur tokën me duar nga zhgënjimi.
Broja, të cilit iu dha oksigjen gjatë trajtimit, përfundimisht u largua nga fusha e stadiumit “Goodison Park” me barelë.
Sulmuesi i kombëtares së Shqipërisë po bënte vetëm paraqitjen e tij të gjashtë për Evertonin, pas transferimit të tij në formë huazimi nga Chelsea këtë verë.
Broja kishte qenë jashtë fushave deri në dhjetor për shkak të një dëmtimi në tendinën e Akilit, të pësuar gjatë parasezonit, gjë që kishte ndërprerë transferimin e tij të mundshëm tek Ipswich.
Më parë, ai ishte larguar nga fushat midis dhjetorit 2022 dhe shtatorit 2023 për shkak të një dëmtimi të rëndë në ligamentin e kryqëzuar të përparmë të gjurit, për të cilin kreu operacion.
Në janar 2024, Broja u transferua në formë huazimi te Fulham, në përpjekje për më shumë minuta lojë. Atje u kufizua në vetëm 8 paraqitje si zëvendësues, pa filluar asnjë ndeshje si titullar gjatë asaj periudhe huazimi.
Broja ka luajtur 38 herë për klubin e tij të origjinës, Chelsea, duke shënuar 3 gola. Ai ende nuk e ka gjetur rrugën e rrjetës për Evertonin.
Vetëm 23 vjeçar, Broja pësoi lëndimin e shtatë në karrierë / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.