Atletja olimpike nga Uganda, Rebecca Cheptegei, ka humbur jetën në spital si pasojë e plagëve që kishte marrë pasi u dogj me benzinë nga ish i dashuri i saj

Atletja olimpike nga Uganda, Rebecca Cheptegei, ka humbur jetën pasi u dogj me benzinë nga ish-partneri i saj.

Cheptegei, 33 vjeçe, pësoi djegie të rënda në 80% të trupit dhe nuk arriti të mbijetojë, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve në Spitalin Mësimor dhe Referues të Moi në Kenia.

Incidenti ndodhi të dielën në shtëpinë e saj në Trans Nzoia, Kenia, ku ajo ishte zhvendosur së fundmi për t’u stërvitur në objektet elitare të vendit fqinj. Sipas Policisë, ish-i dashuri i saj, Dikson Ndiema, e sulmoi pas një konflikti dhe e dogji me benzinë.

Drejtori i spitalit, Dr. Owen Menach, konfirmoi lajmin e vdekjes së saj të hënën në mëngjes.

Presidenti i Komitetit Olimpik të Ugandës, Donald Rukare, e ka cilësuar sulmin si një “akt frikacak dhe të pakuptimtë” në një postim në rrjetet sociale.

Ai kërkoi drejtësi për këtë akt të rëndë dhe nderoi trashëgiminë e saj si një sportiste e madhe.

Sulmi i dhunshëm ndodhi vetëm disa javë pas pjesëmarrjes së Cheptegeit në maratonën olimpike në Paris, ku ajo përfundoi e 44-ta, raporton Daily Mail.

Ngjarja është një kujtesë e hidhur e dhunës së vazhdueshme ndaj grave në rajon, një problem që vazhdon të preokupojë shoqërinë keniane.

Sipas statistikave të fundit, 34% e grave në Kenia kanë përjetuar dhunë fizike që nga mosha 15-vjeçare.

Familja e saj ka njoftuar se kishte pasur mosmarrëveshje për çështje toke midis saj dhe ish-partnerit, çka mund të ketë qenë shkak për sulmin fatal.

Cheptegei nuk është viktima e parë e dhunës brenda familjes në komunitetin e atletëve në Kenia, ku raste të ngjashme kanë ndodhur me atlete si Damaris Mutua dhe Agnes Tirop, duke theksuar një problem të përhapur që kërkon vëmendje urgjente nga autoritetet.

Vdes atletja olimpike nga Uganda pasi u dogj me benzinë ​​nga ish i dashuri i saj / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Share.
Exit mobile version