Luiza Gega nuk ka mundur të kualifikohet në finalen e atletikës në Lojërat Olimpike. 35-vjeçarja u rendit e 9 në baderinë e saj kualifikuese, duke qenë larg pritshmërive, pasi në finalen e 3000 metrave me pengesa kualifikoheshin 5 atletet e renditura të para.

Gega garën kualifikuese e mbylli me kohën 9 minuta, 27 sekonda dhe 41 të qintat, duke qenë edhe shumë larg rekordit të saj personal. Me eliminimin e Gegës mbyllet edhe përfaqësimi i Shqipërisë në Lojërat Olimpike në atletikë, ndërsa pa garuar kanë mbetur vetëm sportistët e mundjes.

Me një postim në faqen e saj zyrtare, Gega reagon për eliminimin ku zbulon se ka vuajtur nga një sëmundje gjatë fazës përgatitore.

Luiza Gega thotë se ndjehet totalisht e dështuar pasi nuk siguroi dot finalen e atletikës në Lojërat Olimpike. Ish-kampionia e Evropës tregon se mori pjesë edhe pse nuk ishte në gjendjen e saj të mirë fizike për shkak të problemeve që ka kaluar.

“Është kaq e vështirë të gjesh fjalë kur ndihesh totalisht e dështuar dhe në fakt në këto momente e tillë ndihem.

E di që do kaloj, çdo gjë kalon me kohën por në këtë moment dhemb shumë sepse vërtet jam munduar dhe ëndërruar që do ia dal pavarësisht se gjërat që në muajin prill, pasi u sëmura morën ‘dishezën’.

Gjithsesi përsëri përpiqesha fort çdo ditë edhe përse me shumë stres nga ndjesite jo të mira të trupit tim përsëri rrija me shpresën që do e përballoja një garë të nivelit por në fakt nuk ndodhi kështu.

Edhe përse nuk e kam thënë kam qenë në dilemë të madhe me veten nëse duhet të vija apo jo por e di që pengu për të mos e provuar do më lëndonte më shumë.
Dua vërtet ti kërkoj falje kujdo që besoi tek unë dhe e zhgënjeva dhe falenderoj të gjithe ato që më mbeshtesin si në ditë të mira qoftë dhe të vështira.
Endrra e Parisit mbyllet sot,”, ka shkruar Luiza Gega.

U eleminua nga Lojërat Olimpike, Luiza Gega: Ndjehem totalisht e dështuar, por u përpoqa fort / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Share.
Exit mobile version