
Trepça e ka vazhduar dominimin në basketbollin kosovar.
“Xehetarët” e fituan sonte trofeun e parë të vitit 2025 pasi e mbyllën atë 2024 në mënyrë perfekte.
Gjelbër e Zinjtë e mposhtën sonte Bashkimin në finale të Kupës me rezultat 85:79, në ndeshjen dramatike e spektakolare, e përcjellë me një atmosferë fantastike të krijuar nga të dyja tifozeritë, e zhvilluar në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë.
Pjesa e parë ishte e nivelizuar dhe ajo u mbyll me rezultat 42:41 për mitrovicasit.
Çereku i parë përfundoi 24:22 për ekipin buzë Ibrit, kurse ai i dytë, 19:18 për ekipin nga Shadërvani.
Edhe 10 minutëshi i tretë ishte i baraspeshuar, me Trepçën që u shkëput përkohësisht në 7 pikë, por që në fund kjo periudhë u mbyll 21:19 për Drilon Hajrizin me shokë.
Rezultati në semafor pas tre çerekësh lojë shënonte 63:60 për Trepçën.
Kjo e fundit e tregoi forcën e saj prej kampiones në periudhën e katërt dhe vendimtare, për ta bërë një shkëputje sensacionale deri në +18 pikë, 81:63.
Nga ana tjetër, ekipi Portokalli u tregua i pafuqishëm në 10 minutëshin e fundit.
Mitrovicasit e siguruan trofeun e tetë të Kupës së Kosovës, respektivisht të katërtin radhazi në katër edicionet e fundit.
Ndërkaq, Bashkimi e ka fituar vetëm një herë këtë trofe të rëndësishëm, në vitin e largër 2001. /Gazeta Express/
Trepça e vazhdon dominimin në basketbollin kosovar, e fiton Kupën / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.