Ish-lojtari i Cagliarit, Interit dhe Romës në Serinë A, Radja Nainggolan, i cili vetëm pak ditë më parë nënshkroi me Lokeren-Temse, është arrestuar sot në Belgjikë.

Mesfushori 36-vjeçar, sipas mediave lokale dyshohet se është përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës.

Policia federale në Bruksel kreu këtë mëngjes disa kontrolle pas një hetimi për importimin e kokainës nga Amerika e Jugut në Evropë përmes portit të Antwerpen, dhe rishpërndarjen e drogës në Belgjikë.

Operacioni që u shtri në provincën e Antwerpen, në qytetin e Brukselit dhe në periferi të kryeqytetit, çoi në arrestimin e mbi tridhjetë personave. Për momentin Nainggolan është duke u marrë në pyetje.

Vetëm pak ditë më parë, pikërisht mbrëmjen e së premtes, mesfushori shënoi në ndeshjen debutuese ndaj Lierse në ndeshjen e vlefshme për Serinë B në Belgjikë.

Kujtojmë se në gusht të vitit 2021, Radja Nainggolan u ndalua nga policia e Antwerp për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit dhe shpejtësi të lartë.

Si pasojë atij iu hoq edhe patenta, por ish-mesfushori i kombëtares belge pak muaj më vonë u arrestua, pikërisht për shkak se po voziste pa leje drejtimi të vlefshme./BBC/

Trafik ndërkombëtar droge, arrestohet ish-ylli i Interit dhe Romës / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Share.
Exit mobile version