Tre futbollistë të Marseille janë viktima të një tentative për vjedhje veture në orët e mëngjesit pas kthimit nga fitorja 2-1 si mysafir i Le Havre në xhiron e fundit të Ligue 1, shkruan La Provence.
Jean Onana, Faris Moumbagna dhe Bamo Meite ishin në karvanin e automjeteve që u nisën nga qendra stërvitore e klubit.
Më pas ata u vunë në shënjestër të kriminelëve që me sa duket synonin të vidhnin makinat e tyre.
Lojtarët e gjigantit francez u qëlluan teksa po iknin nga sulmuesit dhe për fat të mirë asnjëri prej tyre nuk u lëndua nga sulmi. Një tjetër detaj tregon se sa me fat kanë qenë.
Gjegjësisht, në derën e shoferit të njërës veturë janë gjetur dy vrima plumbash, ndërsa veturat janë goditur në pjesën e pasme nga kriminelët.
Prokuroria e Marsejës ka urdhëruar një hetim dhe mësohet se janë ende në kërkim të autorëve që kanë mundur të largohen nga vendi i ngjarjes.
Të shtëna armësh në Francë, sulmohen tre futbollistë të Marseille / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.