Granit Xhaka do të zbarkojë në Serbi në këtë fundjavë derisa Kombëtarja e Zvicrës do të përballet me Kombëtaren vendëse pasi përfunduan në të njëjtin grup në Ligën e Kombeve.
Futbollistët shqiptarë nuk kanë kaluar mirë në eksperiencat e tyre në vendin fqinj, ndërsa janë vërshëllyer, provokuar e madje edhe janë fyer.
Një përvojë aspak të këndshme në Serbi nuk e ka as Taulant Xhaka, i cili me Kombëtaren shqiptare në vitin 2014 e kishte parë tmerrin me sy në Beograd, në atë ndeshjen e famshme që ishte ndërprerë pasi huliganët serbë ishin futur në fushën e blertë për t’i sulmuar futbollistët shqiptarë.
Për këtë, futbollisti i Baselit e ka këshilluar vëllain e tij të mos shkojë në Serbi këtë të shtunë për t’u përballur me serbët, duke e pasur parasysh se ai mund të provokohet, por edhe të shahet.
Sidoqoftë, ai e njeh mentalitetin e futbollistit të Bayer Leverkusenit dhe duke e pasur parasysh që s’kishte arritur ta bindte, të paktën i tha që të mos bie pre e provokimeve dhe e fyerjeve, duke e ruajtur kështu qetësinë.
“E di shumë mirë se sa shumë presion dhe emocione duhet të përballosh në këtë ndeshje”, deklaroi përfaqësuesi shqiptar për mediumin zviceran “Blick”.
“I sugjerova Granitit të flasë me selektorin Murat Yakin dhe ndoshta ta lëshojë ndeshjen. Por, ne të gjithë e njohim atë. Ai dëshiron të luajë secilën ndeshje për Zvicrën.”
“Nuk është e lehtë të mbash veten nën kontroll për 90 minuta kur gjërat bëhen emocionale sërish. Është e lehtë të thuhet, por në fund ka të bëjë me lojë futbolli dhe me fitore.”
Granit Xhaka megjithatë do të jetë pjesë e “Helvetikëve” në ndeshjen e së shtunës, ndërsa kishte shkëlqyer në dy përballjet mes këtyre dy Kombëtareve në gara të mëdha.
Ndeshja mes Serbisë dhe Zvicrës do të luhet në Leskovc./Express
Taulant Xhaka: I thashë Granitit të mos shkojë në Serbi / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.