Anglia ka siguruar një tjetër finale të Euro 2024, të dytën radhazi pas asaj në vitin 2021.
Tre Luanët mposhtën Holandën me rezultat 2-1 edhe pse fillimisht ishin në disavantazh pas golit të Xavi Simons.
Trajneri i Anglisë, Gareth Southgate vlerësoi paraqitjen e djemve të tij, teksa pas ndeshjes, dukshëm i lumtur për këtë arritje, theksoi se Anglia zhvilloi një takim shumë të mirë.
“Ne luajtëm shumë mirë. Ishte një ndeshje e komplikuar dhe ne duhej të vazhdonim të ndryshonim mënyrën se si po mbronim. Na u desh të përshtateshim në mënyrë të vazhdueshme”.
“Më vjen mirë që djemtë morën vendimet e duhura. Finalja është e veçantë për ekipin, erdhi si shpërblim i asaj që po bëjmë për kauzën tonë. Gjëja më e rëndësishme është që të gjithë janë gati të zbresin në fushë”, tha Southgate.
Tutje numri një i ‘Tre Luanëve’ foli edhe për zëvendësimet që dolën të qëlluara, duke larguar Harry Kane e Phil Foden dhe në vend të tyre u inkuadruan Ollie Watkins që shënoi gol dhe Cole Palmer që asistoi.
“E ndienim që po fillonim të humbnim pak nga ana energjike, presingu ynë po zbehej. Harry sapo kishte marrë një goditje, ndërkohë që Ollie bën mirë presing dhe sulmon thellësinë”.
“Menduam se ishte një moment i mirë për të provuar dhe ia dolëm. Jam i lumtur që Ollie e shfrytëzoi momentin e tij, jam i lumtur për të”, tha Southgate.
Southgate flet pas kalimit në finale, si dhe tregon pse vendosi për zëvendësimin Kane-Watkins / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.