Krejt sytë ishin kah 39-vjeçari Cristiano Ronaldo para ndeshjes hapëse të Portugalisë ndaj Republikës Çeke, por jo për herë të parë në Gjermani, ishte një lojtar i ri në moshë që rroku vëmendjen, shkruan BBC.
Fanellat “Ronaldo 7” ishin gjithkund në Leipzig para ndeshjes teksa fansat portugezë po bëheshin gati për ta mirëpritur rekordin e ri të paraqitjeve të Ronaldos në Kampionatin e gjashtë Evropian, përcjell gazeta online Reporteri.net.
Nuk kishin dyshim se do të linte gjurmë me gol, por në vend të tij ishte Francisco Conceicao – 18 vjet më i ri se Ronaldo, i cili siguroi fitoren në minutat shtesë të takimit.
Ishte prekja e tij e parë e topit. Legjenda dhe analisti anglez, Alan Shearer ishte i kënaqur me paraqitjen e tij.
“Futeni në lojë për të ndryshuar dhe për të bërë diçka”, ka thënë Shearer. “Duhet të kesh ndikim si zëvendësues”.
Ishte moment i paharrueshëm për Conceicaon, të birin e ish-lojtarit të Portugalisë, Sergios. Ai festoi me Ronaldon në fund të takimit.
Trajneri portugez, Roberto Martinez ka thënë se ai e meritonte këtë fitore.
“Francisco është shembulli më i mirë se si fitohet mundësia”, ka thënë Martinez.
Në moshën 39-vjeçare, Ronaldo është në vitet e fundit të karrierës, ani pse bashkëlojtari i tij Pepe u bë lojtari më i moshuar që luan në ndonjë Evropian.
Kritikët argumentojnë se vendi i tij në formacionin bazë duhet të shqyrtohet sepse krejt vëmendja është tek ai dhe se ka ndikim negativ në lëvizjet e tij në sulm.
Mirëpo fansat në Leipzig kishin mendim krejt tjetër. Ata thonë se ai ende është lojtari më i mirë në botë.
Ronaldo nuk realizoi, por kishte mundësi shënimi. Dy gjuajtje të tij i priti portieri çek Jendrich Stanek.
Ndërkaq, bashkëlojtarët e tij thonë se përvoja e Ronaldos ende është e rëndësishme për Portugalinë.
“Të gjithë e dimë se sa të rëndësishëm janë lojtarët me përvojë si Cristiano Ronaldo. Edhe Pepe ka më shumë përvojë. E dimë se sa të rëndësishëm janë për ne”.
Të tjerët thonë se Ronaldo ende mund të luajë në këtë nivel.
Gëzimi i Ronaldos në fund të takimit tregon se në mendjen e tij është ekipi. Për këtë arsye duhet besuar se Portugalia mund të shkojë deri në fazat e fundit të Evropianit në Gjermani.
“Simboli” Ronaldo mbetet i rëndësishëm / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.