“Nuk janë kushtet ato që të bëjnë ty kampion. Unë jam bërë kampione evropiane, botërore dhe olimpike, duke ushtruar në një sallë ku temperaturat gjatë dimrit kanë qenë minus 15 gradë celsius. Nuk kam pasur fizioterapeut, nuk kam pasur psikolog, nuk kam pasur nutricionist”.
Këto janë fjalët e Majlinda Kelmendit, sportistes që ka shkruar historinë në Kosovë dhe që i ka fituar të gjithë titujt kryesorë të xhudos në botë.
Sipas saj, gjithçka ka qenë e mundshme, sepse e ka pasur afër vetes një trajner profesionist – Driton Kukën.
Duke marrë shkas Lojërat Olimpike Verore Parisi 2024, dhe gjithë euforinë në Kosovë, pasi dy xhudiste arritën të fitojnë medalje olimpike, kemi biseduar me Kelmendin – tani trajnere e xhudos – për të kuptuar se çfarë realisht e kalit një person që t’i arrijë normat olimpike.
A varet suksesi prej talentit, apo prej punës?
Kelmendi i ka thënë Radio Evropës së Lirë se, kur ka qenë e vogël, nuk është njohur për ndonjë talent të madh, por ka qenë shumë punëtore: “Mendoj që është 80 për qind punë, 20 për qind talent”.
Një teori e psikologut K. Anders Ericsson, e cila i ka rezistuar kohës, thotë se 10 mijë orë punë i mjaftojnë dikujt që të bëhet ekspert në një fushë. Edhe pa pasur talent.
Karriera e Kelmendit, e nisur që në moshën tetëvjeçare, ka rezultuar me shumë tituj: katër herë kampione evropiane, dy herë kampione botërore dhe kampione olimpike, ndër të tjerë.
Regjimi i një sportisti olimpik
Kelmendi ka thënë se, përgjatë kohës sa ka qenë duke u përgatitur për gara, përfshirë Olimpiadën, rutina e saj për 20 vjet rresht është dukur kështu:
Stërvitja e parë: 06:00 – 08:00
Stërvitja e dytë 10:00 – 12:00
Pauza: 12:00 – 17:00
Stërvitjet e tjera: 17:00 – 20:00.
Për 15 vjet, ajo ka thënë se nuk e ka bërë asnjë pushim.
Kolegia e saj, Distria Krasniqi, pati thënë muaj më parë se një muaj para garës, ajo dhe xhudistë tjerë izolohen: “Mbyllemi dhe bisedat i bëjmë vetëm me trajnerin ose me shokët e klubit. Kjo na ndihmon të mbrohemi”.
Pjesëmarrja në Olimpiadë
Norma në sportin e xhudos fitohet brenda dy vjetëve.
Gjatë asaj periudhe, përmes garave, një sportist i fiton pikët olimpike. Por, secili sport i ka procedurat e veta.
Në fund, në Lojërat Olimpike shtetet garojnë me sportistë të kualifikuar – që arrijnë normën olimpike – dhe me sportistë që ftohen për pjesëmarrje për të rritur numrin e garuesve prej shteteve që tradicionalisht kanë pasur ekipe më të vogla.
Emocionet një ditë para garës?
“Jam munduar që të fokusohem në punën time, të mos mendoj shumë gjëra përreth, të mos mendoj që njerëzit presin prej meje, ta bind veten që jam më e mira, që mundem dhe që dua të fitoj medalje të artë”, ka treguar Kelmendi.
Psikologët e sportistëve kanë përmendur se është shumë me rëndësi që stresi të konsiderohet si sfidë dhe jo si diçka që bën dëm.
Shane Murphy, i cili ka këshilluar shumë olimpistë ndër vite, ka thënë se çelësi për sukses është të duash shumë atë që bën dhe të fokusohesh në momentin – të mos shqetësohesh për dështimin dhe as për rezultatin final: “Trupat e tyre janë të përgatitur për sukses, por zakonisht mendja hyn më mes, nëse e lejojnë”.
Plusi i madh për sukses: Bashkëpunimi i sinqertë me trajnerin
Trajneri i ekipit kosovar të xhudos, Driton “Toni” Kuka, është parë në secilën garë të Majlindës, ndër vite, e tani edhe të xhudistëve tjerë.
Nën udhëheqjen e Kukës – dikur vetë xhudist – Kosova i ka siguruar pesë medalje olimpike: tri të arta, një të argjendtë dhe një të bronztë.
Sipas Kelmendit, asnjë sportist nuk mund të arrijë kulmin, nëse nuk ka raport të ngushtë dhe të sinqertë me trajnerin.
“Asnjëherë nuk kam shkuar në gara pa Tonin. Thjesht, kam pasur nevojë që Toni të jetë në sallë, që unë ta dëgjoj zërin e tij dhe ta shoh që është prezent”.
A ofron Kosova kushte për kalibër olimpik?
Ndonëse në sportet tjera mund të ketë nevojë për më shumë investime, Kelmendi ka vlerësuar se, sa i përket xhudos, kushtet tani janë të mira, teksa ka përmendur edhe ndihmën prej shtetit dhe të sponsorëve, që nga viti 2013.
Pavarësisht asaj, ajo ka porositur çdo sportist që të mos i krahasojë asnjëherë kushtet e stërvitjeve me ato që mund të jenë në Gjermani apo në Japoni: “Me vullnet, punë dhe përkushtim, mund të arrijnë gjithçka”.
Kelmendi ka pranuar se regjimi i saj me raste ka qenë shumë më i ashpër sesa që ndoshta do të duhej, se ndoshta nuk e ka shijuar sa duhet karrierën në zhvillim e sipër, por që mbase ky ka qenë çelësi i suksesit për të.
“Ka qenë shumë e vështirë gjatë karrierës sime, sidomos prej vitit 2013 e tutje, të pranoj ndonjë medalje tjetër përpos të artës. Mendoj që kjo më ka kushtuar shumë në aspektin psikologjik, por, në anën tjetër, ndoshta është mirë të jesh ashtu, deri diku, për faktin që i kam arritur të gjithë titujt e mundshëm”.
Si kalitet një sportist për Olimpiadë? / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.