Adell Shaboviq është eliminuar të martën prej garës në not, në Lojërat Olimpike që po mbahen këtë vit në Paris.

Në rrethin e parë të garës – në kategorinë stil i lirë prej 100 metrash – ai ka dalë i dyti në grupin e tij, mirëpo nuk është renditur në mesin e 16 garuesve më të shpejtë, të cilët kanë prekur gjysmëfinalen.

Në listën përfundimtare me 79 lojtarë, Adelli është renditur në vendin e 58-të, me 4.20 sekonda dallim prej garuesit të parë në listë, amerikanit, Jack Alexy, i cili e ka përfunduar garën për 47.57 sekonda.

Kjo është hera e parë që 21-vjeçari përfaqëson Kosovën në Lojërat Olimpike.

Adelli është pjesë e ekipit të notit në Universitetin Princeton në SHBA.

Me prejardhje është nga qyteti i Pejës në Kosovë, por i lindur dhe i rritur në Bruklin të Nju Jorkut. Familja e tij jeton prej dekadash në SHBA.

Për Adellin, i cila ka dy shtetësi – edhe të SHBA-së, edhe të Kosovës – ta përfaqësosh Kosovën është një ëndërr e realizuar.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, javë më parë, ai ka treguar se rrugëtimin për te gara për Kosovën e ka nisur nga “dashuria ndaj babait, familjes së tij të madhe dhe prejardhjes së gjakut të tij”.

Përveç Adellit, Kosovën në not këtë vit e përfaqëson edhe Hana Beiqi.

Kosova këtë herë përfaqësohet në Lojërat Olimpike me nëntë lojtarë – në sporte si xhudo, not, atletikë dhe boks.

Pesë lojtarë – përfshirë Adellin – tashmë e përfunduar tashmë garën.

Distria Krasniqi ka siguruar medalje të argjendtë, ndërsa Nora Gjakova, Akil Gjakova dhe Donjeta Sadiku kanë përfunduar garat pa çmime.

Në total, Kosova i ka tri medalja të arta dhe një të argjendtë.

Majlinda Kelmendi ka qenë e para që ia ka siguruar Kosovës medaljen e artë në Rio 2016, të mbajtur në Brazil.

 

Shaboviq eliminohet nga gara e notit në Lojërat Olimpike / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Share.
Exit mobile version