Një nga yjet botëror të futbollit, malazezi Dejan Saviçeviq edhe pse karrierën e ka zhvilluar në Buduqnost të Podgoricës dhe Crvena Zvezdë të Beogradit, e tutje edhe në Milano, kujtimet nga Prishtina nuk i janë hequr nga koka.

Ai ka luajtur në stadiumet më të mdhenjë në botë, por ndeshjet në ish-ligën e parë të Jugosllavisë, me Prishtinën e inkuadruar atëherë në atë ligë në fillim të ’80-ve, duket se i kanë mbetur shumë në mendje.

Sot mban pozitën e kryetarit të Federatës Malazeze të Futbollit dhe në një “tik-tok” video të kësaj federate kur pyeste lojtarët dhe stafin e federatës që të tregonin se “cili ishte stadiumi më i zhurmshëm që kanë luajtur”, Saviçeviq u kthye mbrapa në vite.

“Njëherë kur kam luajtur në Prishtinë, ajo ka qenë delirium. Në atë vit Prishtina pati hyrë në Ligën e parë (të Jugosllavisë). Në një moment nuk ke pasë mundësi me bashkëlojtarë në disa metra me u dëgju, me i dhënë informacion”, kujton Saviçeviq, shkruan Reporteri.net.

 

Kujtojmë që ish-kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, legjenda Fadil Vokrri ka pasur relacione të mira shoqërore me Saviçeviqin, gjë që i kishte ndihmuar edhe në ndërkombëtarizimin e futbollit të Kosovës. Tutje, pas vdekjes së Vokrrit, Saviçeviq ishte përkulur pranë varrit të tij.

“Nuk kam pasur mundësi për fat të keq të jem në ditën e varrimit të Fadil Vokrrit, por sot e kam shfrytëzuar rastin, pasi që kemi edhe ndeshjen në Kosovë, që të vijë dhe të përkulem para varrit të Fadilit. Unë dhe Fadili kemi qenë shok shumë të mirë dhe kemi pas bashkëpunim shumë të mirë. Ka qenë shumë vështirë kur kam dëgjuar për vdekjen e Fadilit dhe sigurisht që ai do të ishte shumë i lumtur po t’i shihte rezultatet kulmore të Kosovës por kjo është jeta”, pati thënë ai më 2019, një vit pas vdekjes së Vokrrit.

Saviçeviq: Stadiumi më i zhurmshëm që mbaj mend ishte ai i Prishtinës / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Share.
Exit mobile version