Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Sylvinho ka publikuar listën preliminare me emrat e futbollistëve që ka grumbulluar për Kampionatin Evropian ‘Euro 2024’.
Kuqezinjtë kanë siguruar kualifikimin e dytë në Kampionatin Evropian, derisa ndodhen në Grupin B së bashku me Italinë, Spanjën dhe Kroacinë.
“Para se gjihtash dua të them se jam shumë krenar që kemi ardhur në këtë moment që do të shkojmë në Euro 2024. Dua t’i falënderojë të gjithë ata djem që bënë të mundur kualifikimin dhe kanë qenë pjesë e Kombëtares”.
“Sigurisht që zgjedhjet e stafit teknik janë bazuar në një analizë të gjatë. Kemi analizuar statistikat dhe gjithçka tjetër. Normalisht është e pamundur të kemi gjithë lojtarët në dispozicion dhe mendoj se kemi marrë lojtarët më të mirë”.
“Nuk luajmë vetëm për tre milionë shqiptarë në Shqipëri, por luajmë në Euro 2024 për mbi 10 milionë shqiptarë në gjithë botën”, tha Sylvinho.
Sylvinho ka grumbulluar 27 futbollistë për këtë Euro 2024, derisa jashtë listës kanë mbetur Sokol Cikalleshi, Keidi Bare, Myrto Uzuni e Arbnor Muja.
Ndërkohë në listë është rikthyer kapiteni Amir Abrashi, derisa janë ftuar emra të rinj si Medon Berisha apo Arbër Hoxha.
Ndeshjen e parë Shqipëria e zhvillon me Italinë më 15 qershor, pastaj luan ndaj Kroacisë më 19 qershor dhe më 24 qershor përballet me Spanjën në ndeshjen e fundit të Grupit B.
Publikohet lista e Shqipërisë me lojtarët e ftuar për Euro 2024, Cikalleshi mbetet jashtë / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.