Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pasditen e sotme mori pjesë në përurimin e hapësirave stërvitore të sportit të boksit, në bodrumin e Hotel Grand, ku u mirëprit nga boksierja Donjeta Sadiku dhe ekipi i saj, hapësira këto të cilat tash e një kohë kanë qenë të pashfrytëzuara, përcjell Reporteri.net.

Kjo hapësirë e cila u përurua sot, është funksionalizuar e finalizuar dhe tashmë është e gatshme për shfrytëzim falë bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit me AKP-në dhe me Federatën e Boksit.

Në përmbyllje të këtij përurimi, Kryeministrit Kurti iu dhurua një dorëz e boksit e cila u nënshkrua nga vetë boksierja.

“Donjeta Sadiku është sportistja e vetme jashtë ekipit të xhudos nga atletët e Kosovës që do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike të Parisit 2024, në pjesëmarrjen e dytë të saj. Ajo është dekoruar më herët me medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror në Stamboll 2022, si dhe me medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian në Budva po të njëjtin vit, duke u cilësuar si boksierja e parë dhe e vetme grua nga Kosova që ka arritur të fitojë medalje në garat ndërkombëtare të boksit”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

Edhe kryeministri Kurti shkroi më vonë disa fjalë për boksieren.

“Një mjedis me kushte të duhura për stërvitje profesionale të sportit të boksit u përurua pasditen e sotme nga boksierja Donjeta Sadiku, falë bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit me AKP-në dhe Federatën e Boksit.
Nesër, Donjeta do të niset bashkë me ekipin olimpik drejt Parisit. Përurimi i kësaj hapësire të re stërvitore në Hotel Grand, le të jetë ogurmirë për suksesin e radhës të boksieres së parë dhe të vetme grua nga Kosova që ka arritur të fitojë medalje në garat ndërkombëtare të boksit, e që tash ndodhet në pjesëmarrjen e saj të dytë në Lojërat Olimpike”, shkroi Kurti.

Përurohen hapësirat stërvitore të boksit nga sportistja Donjeta Sadiku, merr pjesë edhe Kurti / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Share.
Exit mobile version