Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, raportohet se është i gatshëm të nisë një ofertë të madhe për një nga yjet më të vlerësuar në futbollin evropian, si pasardhësin e Kevin De Bruyne.
Që nga transferimi i tij nga Wolfsburg në verën e vitit 2015, De Bruyne është kthyer në një nga mesfushorët më të mirë që ka luajtur ndonjëherë në Premier League.
Belgu ka fituar çdo trofe të rëndësishëm në Angli, duke përfshirë gjashtë tituj të Premier League, Ligën e Kampionëve dhe Kupën e Botës për Klube.
Megjithatë, me vetëm katër muaj të mbetur në kontratën e tij me City-n, Guardiola tashmë po mendon për një zëvendësues dhe duket se ka identifikuar një emër të madh: Florian Wirtz.
Dëmtimet e shumta kanë kufizuar minutazhin e De Bruyne gjatë sezonit, dhe duket gjithnjë e më e sigurt që City nuk do ta rinovojë kontratën e tij këtë verë.
Largimi i 33-vjeçarit do të krijojë një boshllëk të madh në skuadrën e City-t, por raportimet më të fundit sugjerojnë se Guardiola dëshiron të sjellë si zëvendësues yllin e Bayer Leverkusen, Florian Wirtz.
Wirtz, pas një sezoni fenomenal me Bayer Leverkusen dhe paraqitjeve mbresëlënëse në Euro 2024, është kthyer në një nga talentet më emocionuese në Evropë.
Sipas Sport Bild, Guardiola shpresonte ta transferonte Wirtz që në merkaton e dimrit, por Leverkusen nuk pranoi ta shiste në mes të sezonit.
Për këtë arsye, City do të duhet të presë deri në verë për të bërë ofertën e tyre, por ylli 21-vjeçar nuk do të jetë i lirë – Leverkusen kërkon rreth €150 milionë (£125 milionë) për ta lënë të largohet.
City gjithashtu do të përballet me konkurrencë, pasi Leverkusen po përpiqet t’i ofrojë Wirtz një kontratë të re dhe shumë më të përmirësuar, për ta mbajtur në klub.
Kontrata aktuale e Wirtz skadon në qershor 2027, por klubi gjerman dëshiron ta zgjasë deri në 2028, duke përfshirë një klauzolë lirimi prej €125 milionë (£104 milionë), e cila do të bëhej aktive në verën e vitit 2026.
Për ta bindur mesfushorin të qëndrojë, Leverkusen gjithashtu do t’i rrisë pagën nga €8 milionë (£6.6 milionë) në mbi €10 milionë (£8.34 milionë) në vit.
Pep Guardiola përgatit 150 milionë euro për ta blerë zëvendësuesin e De Bruyne në verë / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.