
Kosova dhe Islanda do të përballen mes vete të enjten e 20 marsit në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Ky takim do të fillojë prej orës 20:45, kurse ‘Dardanët’ kërkojnë vetëm fitore në këtë takim.
Më pas, loja e kthimit do të luhet të dielën në Spanjë, kur edhe do të përcaktohet kombëtarja që do të luajë në Ligën B dhe ajo që do të përfundojë në Ligën C në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve.
Kosova kërkon që të inkuadrohet për herë të parë në Ligën B. Në Ligën C mbeti prapa Rumanisë në grup, ndërsa ishte më e suksesshme se Qipro e Lituania.
Bazuar tek futbollistët e ftuar në këtë grumbullim, sipas ‘Transfermarkt’, vlera momentale e Kosovës është 63.95 milionë euro, pak më e madhe se ajo e Islandës, e cila vlerësohet me 55.58 milionë euro.
Kujtojmë që në këtë takim mungesë e madhe tek ‘Dardanët’ do të jetë ajo e Edon Zhegrovës, i cili në treg momentalisht vlerësohet rreth 25 milionë euro.
Pavarësisht mungesës së Zhegrovës, Kombëtarja e Kosovës ka vlerë financiare më të madhe se ajo e Islandës / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.