Juventusi ka konfirmuar përmes një njoftimi zyrtar se kontrata e Paul Pogbas është shkëputur dhe që tani ai është i lirë të transferohet diku tjetër.
“Juventus dhe Paul Pogba njoftojnë se kanë arritur një marrëveshje të përbashkët për shkëputjen e kontratës së tij. Klubi i dëshiron Paulit më të mirën për të ardhmen e tij profesionale”, thuhej mes tjerash në njoftimin e klubit italian.
Reprezentuesi francez dështoi në një test për doping në gusht të vitit të kaluar, pasi kaloi tërë ndeshjen në bankën rezervë ndaj Udineses në Serie A.
Muajin në vijim, ai ishte suspenduar, në mënyrë që të mos lejohet të stërvitet më gjatë me ekipin e parë të Juventusit.
Ai më pas u dënua me katër vite moslojë disa muaj më vonë, dënim ky që më pas u reduktua në vetëm 18 muaj.
Kjo do të thotë se Pogba mund të rikthehet sërish në aksion në mars të vitit të ardhshëm, por ai nuk ishte më pjesë e planeve të ‘Zonjës së Vjetër’, kështu që ‘Biancorenët’ hapën bisedimet për shkëputjen e kontratës së tij.
Dy palët tashmë kanë gjetur gjuhën e përbashkët dhe dita e fundit e Pogbas si lojtar i Juventusit do të jetë data 30 nëntor i këtij viti.
Pogba ishte rikthyer për herë të dytë tek Juventusi në verën e vitit 2022, sidoqoftë, ai hasi në vështirësi shkaku i lëndimeve para se të dështonte në testin për doping, duke arritur që të luante në vetëm 12 ndeshje në të gjitha garat.
Paul Pogba nga sot e tutje lojtar i lirë / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.