
Shqipëria dhe Serbia kanë kërkuar zyrtarisht organizimin e Kampionatit Evropian në futboll për grupmoshën deri në 21 vjeç, në vitin 2027.
Federata Shqiptare e Futbollit me anë të një komunikate ka bërë të ditur se i ka dërguar kërkesën UEFA-s, që Shqipëria të jetë një nga vendet pritëse të finaleve të këtij kompeticioni.
Sipas FSHF-së, kjo është bërë për shkak të mungesës së infrastrukturës në Shqipëri. Reagimet kanë qenë të shumta.
Së fundmi ka reaguar edhe tifogrupi kosovar, “Plisat” . Ata i kanë kërkuar Federatës Shqiptare të Futbollit të tërhiqet nga kjo iniciativë.
Reagimi i plotë:
TËRHIQUNI E KËRKONI NDJESË TË RËNËVE E TË GJALLËVE
FShF paska kandiduar bashkë me Serbinë për organizimin e Evropianit U21.
Nuk e kuptojmë përse një pjesë e Shqipërisë, sidomos asaj zyrtare, i ka përcaktuar vetes detyrën e rehabilitimit të imazhit të Serbisë në sytë e botës!
Serbia mbetet po ajo që ishte për qindra vjet: gjenocidale, fashiste, antishqiptare dhe mbi të gjitha është ende pushtuese e trojeve tona.
Andaj i bëjmë thirrje Federatës të tërhiqet nga kandidatura e të mos vazhdojë më tutje këtë marri. Nuk mund të bashkëpunoni me një shtet që Luginën e ka ende të pushtuar, e që Kosovën ende e konsideron të veten. Me një shtet që ende na ka shumë borxh.
Tërhiquni e kërkoni ndjesë të rënëve e të gjallëve.
P.s. për zërat që presin pa durim që ne të kthehemi kundër Shqipërisë, veç ju kujtojmë se dashuria jonë për kombin nuk kushtëzohet nga veprimet e individëve e as institucioneve.
Shqipëria dhe Prishtina janë tonat, janë kuq e zi, e për to luftojmë ne.
Shihemi në Gjermani.
Organizimi i përbashkët i FSHF-së me Serbinë, reagojnë Plisat: Tërhiquni dhe kërkoni ndjesë / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.