Luka Modric nuk po di të plaket. Legjenda kroate po luan si të ishte 20 vjeç dhe ky fakt është duke e impresionuar Real Madridin.

Madje, trajneri Carlo Ancelotti dje deklaroi se Modric është një dhuratë, ndërsa u shpreh se ai dhe familja e “Los Blancos” janë me fat që mund t’i shijojnë paraqitjet e tij dhe karrierën e tij në përgjithësi.

Ish-futbollisti i Tottenhamit është duke i kaluar muajt e fundit të kontratës me “Mbretërit”.

Mirëpo, mediumi spanjoll “Marca” raporton se palët mund të mos ndahen në fund të këtij sezoni, përcjell Express.

Kjo pasi, shton mediumi në fjalë, përfaqësuesi kroat po e konsideron seriozisht mundësinë e nënshkrimit të kontratës së re njëvjeçare me Realin, e cila do të zgjaste deri në qershor të vitit 2026.

Modric ka fituar gjithçka të mundshme me kampionin aktual spanjoll, evropian dhe botëror, ndërsa është i uritur për trofe të tjerë dhe të ketë sa më shumë minuta në këmbët e tij.

Përkundër moshës së shtyrë ai mbetet lojtar i rëndësishëm i ekipit të Ancelottit.

Përkundër faktit se kishte oferta nga Arabia Saudite dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, “gjeniu” vendosi të vazhdojë të luajë në nivele të larta duke qëndruar në Madrid, ku po luan me sukses për më shumë se një dekadë.

Pa dyshim, fituesi i Topit të Artë është njëri prej mesfushorëve më të mirë në botë në dekadën e fundit, por edhe prej më të mirëve në histori të futbollit.

Modric nuk di të plaket, mund ta vazhdojë kontratën me Realin / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Share.
Exit mobile version