Bashkimi Evropian i Futbollit (UEFA) njoftoi më 17 qershor se kishte filluar procedurat disiplinore kundër Federatës së Futbollit të Serbisë për shkak të sjelljes së supozuar të papërshtatshme nga tifozët e saj, në periferi të ndeshjes që Serbia humbi ndaj Anglisë (1:0) në Kampionati Evropian të dielën në Gelsenkirchen.

Shtatë tifozë të kombëtares serbe janë arrestuar më 16 qershor pas një konflikti në qytetin gjerman të Gelsenkirchenit para ndeshjes së Kampionatit Evropian kundër Anglisë, njoftoi policia ditën e konfliktit. Policia e Gelsenkirchen ka konfirmuar për BBC se ka pasur një përleshje mes tifozëve të Serbisë dhe Anglisë.

Hetimi i UEFA-s pas këtij incidenti i referohet në mënyrë specifike “hedhjes së objekteve dhe mesazheve provokuese që nuk kanë vend në kontekstin e një ngjarjeje sportive”, thuhet në një deklaratë të UEFA-s.

Shtohet se “Organi i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës i UEFA-s (CEDB) do të marrë një vendim për këtë në kohën e duhur.

Ndërkohë, FSS dhe Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) kanë denoncuar njëra-tjetrën në UEFA për të njëjtën çështje.

FFK-ja akuzoi tifozët serbë se kanë ngritur “flamuj” dhe kanë brohoritur “parrulla dhe këngë me mesazhe politike shoviniste dhe raciste kundër Kosovës”.

“Përhapja e mesazheve të tilla raciste gjatë një ngjarjeje siç është kampionati evropian i futbollit është e pakuptimtë dhe absurde”, ka thënë FFK-ja, duke kërkuar “masa të rrepta disiplinore ndaj FSS”.

Mesazhe politike kundër Kosovës, UEFA nis procedurë disiplinore ndaj Serbisë / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Share.
Exit mobile version