Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar se së shpejti në Shqipëri do të nis shkolla e futbollit nga kampioni i Premierligës angleze, Manchester City.

“Procesi është gati pas një pune të përbashkët dhe projekti i kampusit është gati gjithashtu. Brenda pranverës do të hapim kantierin në Durrës, ku do të kemi një nga kampuset më të bukur të konstelacionit të Manchester City-it nëpër botë”- ka shkruar Rama.

Edhe ekkipi i Manchester Cityt ka ndarë në faqen zyrtare të klubit pamjet si do të duket shkolla e futbollit që pritet të hapet në qytetin e Durrësit në vjeshtën e vitit 2024.

Objekti i ri do të përdorë metodologjinë e stërvitjes së ekipit të Manchester City-t për të ofruar edukim futbolli të klasit botëror për lojtarët e rinj.

Kjo është shkolla më e fundit nga tetë shkollat e futbollit që Manchester City ka në nivel global.

“Përveç Shkollës së Futbollit, Ministria Shqiptare e Arsimit dhe Sportit po lançon gjithashtu një Akademi Elite në vjeshtën e vitit 2024 për të ofruar një shteg për futbollistët vendas që aspirojnë të arrijnë nivelet më të larta të lojës. Akademia do të ndërtohet duke përdorur konsulencë nga City Football Group, organizata mëmë e Manchester City”, thuhet në njoftimin e klubit anglez.

Jorgina Busquets, Drejtore Menaxhuese e Edukimit, Rekreacionit dhe Klubeve Partnere në City Football Group, tha: “Ne jemi të kënaqur të shpallim një Shkollë të re të Futbollit në Shqipëri. Është oferta më e fundit si pjesë e një zgjerimi të vazhdueshëm global të programimit arsimor të Klubit pasi ne synojmë të ndajmë metodologjinë tonë të stërvitjes, njohuritë dhe përvojën për të zhvilluar të rinjtë në mbarë botën.

Ne presim me padurim të punojmë me ministrinë shqiptare për një sërë aktivitetesh brenda vendit, ndërsa punojmë drejt hapjes së shkollës në vjeshtën e vitit 2024”, tha ajo.

Manchester City hap shkollë të futbollit në Shqipëri / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Share.
Exit mobile version