Prova që do t’u mundësonte atletëve pjesëmarrës në Lojrat Olimpike në Francë që të ambjetoheshin me kursin e maratonës së notit në lumin Senë u anulua të martën mes shqetësimeve mbi cilësinë e ujit.

Federata Ndërkombëtare për administrimin e garave sportive në ujë World Aquatics e mori vendimin për anulimin e provës pas një mbledhjeje herët në mëngjes, njoftoi organizata përmes një deklarate.

Nivelet e luhatshme të baktereve në ujë kanë qenë një shqetësim i vazhdueshëm gjatë gjithë Lojërave Olimpike, ndërsa tregarëshi dhe maratona e notit janë planifikuar të mbahen në lumin Senë.

Tregarëshi përfshin konkurim në not, çiklizëm dhe vrapim.

Një provë tjetër për maratonën e notit është planifikuar për të mërkurën dhe organizatorët do të vendosin herët atë mëngjes nëse do të realizohet apo jo, thuhet në deklaratë. Gara për femra është caktuar për të enjten, ndërsa për meshkujt të premten.

Anulimi i provës së sotme vjen një ditë pas tregarëshit të përzier, meshkuj dhe femra, që u zhvillua dje në lumin që përshkon qendrën e kryeqytetit francez. Organizatorët publikuan të martën të dhëna që tregojnë se ditën e djeshme nivelet e baktereve ‘E. Coli’ dhe enterokoku ishin brenda niveleve të pranueshme në gjatësinë që përshkohet për këtë garë.

Mostrat e ujit të nxjerra herët të hënën treguan se niveli i baktereve ‘E. Coli’ varionte nga “mirë” në “shumë mirë” në katër pika në lumë, ku u morën mostrat, tha organizata ‘World Aquatics’.

Duhet më shumë kohë për të kultivuar mostrat e bakterit enterokok, kështu që vendimi për të anuluar stërvitjen e së martës u mbështet në mostrat e marra të dielën, thanë organizatorët.

Rezulteti mbi nivelet e bakterit enterokok të marra të hënën u bënë gati mesditën e së martës. Ato treguan një përmirësim në cilësinë e ujit të lumit, por një nga katër mostrat nuk i përmbushte standardet.

Organizatorët thanë se “kanë besim” se garat e maratonës së notit do të mbahen në Senë siç ishte planifikuar.

Kryetarja e bashkisë së Parisit, Anne Hidalgo, e cila notoi në lumin Senë muajin e kaluar për të zbutur frikën rreth cilësisë së ujit përpara Lojrave Olimpike, u shpreh në të njëjtën linjë.

“Sigurisht që do të presim të marrim rezultatet e cilësisë së ujit, por gara do të zhvillohet, sepse ka pasur një përmirësim të qartë të motit këto ditët e fundit”, tha ajo. “Kështu që unë jam vërtet krenare dhe e lumtur dhe të gjithë atyre që duan të vazhdojnë të thonë se është e pamundur të pastrohet një lumë u them që “po është e mundur, ne e bëmë”.

Me disa përjashtime, noti në Senë është i ndaluar që nga viti 1923, sepse uji ka qenë shumë i ndotur. Parisi ndërmori një plan ambicioz, duke investuar 1.4 miliardë euro për të bërë ndërhyrje në infrastrukturë për të siguruar që disa gara noti të mund të mbaheshin në lumë. Kjo përfshinte ndërtimin e një baseni gjigand për të mbledhur ujin e tepërt të shiut dhe për të mos lejuar që ujërat e zeza të derdheshin në lumë, si edhe duke rinovuar infrastrukturën e kanalizimeve dhe duke përmirësuar impiantet e trajtimit të ujërave të zeza.

Cilësia e ujit në lumin Senë është e lidhur ngushtë me motin. Shirat e dendur mund të bëjnë që ujërat e zeza dhe mbetjet që rrjedhin në lumë, të rrisin nivelin e baktereve, ndërsa temperaturat e ngrohta dhe rrezet e diellit mund të vrasin mikrobet dhe bakteret në nivele më të ulëta.

Ndërsa moti ka qenë kryesisht i nxehtë dhe me diell gjatë Lojërave Olimpike, ka pasur disa raste shirash të dendur. Shqetësimet për cilësinë e ujit shkaktuan anulimin e provave në Senë përpara dy garave të tregarëshit individual dhe të përzier dhe çuan në shtyrjen me një ditë të tregarëshit individual për meshkuj.

Katër atletë, nga më shumë se 100 që konkurruan në garat individuale të meshkujve dhe femrave javën e kaluar, u sëmurën në ditët në vazhdim, megjithëse është e paqartë nëse shkak ishte uji./VOA

Lojërat Olimpike të Parisit, anulohet prova për maratonën e notit mes shqetësimeve për cilësinë e ujit në lumin Senë / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Share.
Exit mobile version