George Foreman, një nga legjendat më të mëdha të boksit në kategorinë e peshave të rënda, ka ndërruar jetë në moshën 76 vjeçare, sipas njoftimit të bërë nga familja e tij.
I njohur në ring si “Big George”, boksieri amerikan ka ndërtuar një karrierë të jashtëzakonshme dhe të qëndrueshme, duke fituar medaljen e artë olimpike në vitin 1968 dhe dy herë titullin botëror në peshën e rëndë. Ai është i vetmi boksier që ka arritur të bëhet kampion i botës në këtë kategori pas një periudhe 21-vjeçare, duke u shpallur kampion i botës në moshën 45-vjeçare, duke e bërë atë boksierin më të vjetër të fituar titullin në histori.
Ndërkohë, përballja e tij e famshme me Muhammad Alin në vitin 1974, në luftën “Rumble in the Jungle”, rezultoi në humbjen e titullit të tij të parë. Megjithatë, karriera e tij profesionale mbetet e paharrueshme, me një total prej 76 fitoreve, përfshirë 68 nokaut, një shifër që i kalon dyfishin e fitoreve të Aliut.
Foreman u tërhoq nga boksimi në vitin 1997, por emri i tij do të vazhdojë të mbetet i njohur, pasi ai vendosi të lidhte emrin e tij me një skarë të famshme për gatim, një investim që e pasuroi atë dhe i siguroi një pasuri të konsiderueshme.
Në një njoftim të publikuar në Instagram të premten mbrëma, familja e tij shprehu dhimbjen e humbjes. “Zemrat tona janë thyer,” thuhej në postimin e familjes, e cila e cilësoi Foremanin si një “predikues të devotshëm, bashkëshort të përkushtuar, baba të dashur dhe gjysh krenar”. Deklarata theksoi gjithashtu se ai ishte “një humanitar, një olimpik dhe dy herë kampion i botës, një njeri i respektuar dhe një forcë për të mirën”.
George Foreman lindi më 10 janar 1949 në Marshall, Teksas, dhe u rrit me gjashtë vëllezër e motra nga një nënë beqare në një pjesë të ndarë të Amerikës. Pas një rruge të vështirë që përfshinte krime të vogla, ai gjeti shpëtimin dhe lavdinë në ringun e boksit. Në moshën 19 vjeçare, ai fitoi medaljen e artë në Lojërat Olimpike të Mexico City-t, përpara se të bëhej profesionist dhe të arriti një rekord të pabesueshëm prej 37 fitoreve radhazi. Gjatë karrierës së tij, Foreman humbi vetëm pesë ndeshje.
Një ikje e madhe për botën e sportit, por një trashëgimi që do të jetojë përgjithmonë.
Legjenda e boksit George Foreman, vdes në moshën 76 vjeçare / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.