Boksierja italiane, Angela Carini, mbërriti në Lojërat Olimpike Parisi 2024 me synim për të fituar medalje në nderim të babait dhe trajnerit të vet të ndjerë, i cili vdiq pak pasi ajo mori pjesë në lojërat e kaluara në Tokio tri vjet më parë.
Por, paraqitja e Carinit në Paris zgjati vetëm 46 sekonda të enjten, para se ajo ta braktiste luftën kundër kundërshtares së vet algjeriane, Imane Khelif, me njolla gjaku në rrobat e saj.
Megjithëse Carini tha se nuk po bënte deklarata politike për Khelifin – e cila ishte përjashtuar nga Kampionati Botëror i boksit vitin e kaluar, sepse nuk e kishte kaluar një test të paspecifikuar gjinor – vendimi i saj e rihapi debatin për statusin e Kehlaifit.
Kush është Angela Carini?
Carini, 25-vjeçare, garon në kategorinë 66 kilogramë, e njohur ndryshe si welterweight. Ajo fitoi medalje të argjendta në Kampionatin Botëror dhe atë Evropian më 2019.
Ajo e fitoi medaljen e artë në Kampionatin Evropian për të Rinj. Në Tokio, ajo humbi në luftën e parë.
Babai i saj, Giuseppe, ia vuri asaj nofkën “tigëreshë”.
E kaluara e Carinit
Carini ishte kampione italiane në qitje, para se të kalonte në sportin e boksit. Ajo e bëri këtë ndryshim për t’i ndjekur hapat e babait, i cili ngjashëm e kishte braktisur qitjen për boks.
“Babai dhe vëllai im më mësuan të bëj boks. Atyre u kam borxh gjithçka”, tha Carini.
Çfarë ndodhi në luftën kundër Khelifit?
Carini i shkëmbeu disa grushte të shpejta para se ta braktiste luftën – një ndodhi tejet e rrallë në sportin e boksit në Olimpiadë. Carini nuk ia shtriu dorën Khelaifit për ta përshëndetur pasi gjyqtari ia ngriti asaj dorën formalisht për ta shpallur fituese.
Më pas, ajo ra në gjunjë dhe qau në ringun e boksit.
Veprimet e saj ngjallën diskutime përtej Parisit, nëse Khelifi është dashur të lejohej të garonte, pasi kishte dështuar në një test të paspecifikuar gjinor të tanimë Federatës së ndaluar Ndërkombëtare të Boksit.
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, e diskutoi këtë çështje me presidentin e Komitetit Ndërkombëtar Olimpik (IOC), Thomas Bach, gjatë një takimi të premten në Paris.
IOC-ja e ka mbrojtur vazhdimisht të drejtën e Khelifit për të garuar këtë javë.
“Me gjithë kërkesat tona për të pasur siguri dhe garanci, për sigurinë e atletes sonë dhe për rregulloren e garës, ata kanë konfirmuar se [Khelifi] është brenda këtyre parametrave”, tha presidenti i Komitetit i Komitetit Olimpik të Italisë, Giovanni Malago.
Pse hoqi dorë ajo?
Më vonë, ende me lot në sy, Carini tha se hoqi dorë si pasojë e dhimbjeve që grushtet fillestare të Khelifit ia shkaktuan asaj, duke shtuar se hunda i rrodhi gjak si pasojë.
“Më dhembnin fytyra dhe hunda”, tha Carini, sipas gazetës së përditshme italiane, Gazzetta dello Sport.
“Nuk mund të merrja frymë më. Mendoja për familjen, e shikova vëllain në tribuna dhe shkova në qoshen time për t’u dorëzuar… kurrë në jetën time nuk kam marrë goditje aq të fuqishme”, tha ajo.
Carini shtoi se nuk ishte vendim i paramenduar.
“E gjithë kjo polemikë më trishton. Më vjen keq edhe për kundërshtaren time gjithashtu… Nëse IOC-ja thotë se ajo mund të luftojë, atëherë unë e pranoj atë vendim”.
Carini shprehu keqardhje që nuk ia shtrëngoi dorën Kehlifit pas meçit.
“Nuk ishte dicka që e bëra me qëllim. Në fakt, dua t’u kërkoj falje asaj dhe të gjithëve. Ishe e zemëruar sepse Olimpiada mbaroi për mua. Nuk kam asgjë kundër Khelifit. Nëse do ta takoja prapë, do ta përqafoja”, shtoi ai./REL
Kush është Angela Carini dhe pse e dorëzoi luftën kundër Imane Khelifit? / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.