Kombëtarja e Kosovës është grumbulluar dje për herë të parë në prag të ndeshjeve të tetorit.

Dardanët ushtruan nën urdhrat e trajnerit Franco Foda, ndonëse ekipi nuk ishte i kompletuar pasi disa lojtarë kishin angazhime me klubet e tyre të dielën.

Verdhekaltrit ushtruan dje në kampin nacional në Hajvali, ndërsa sot do ta zhvillojnë seancën e dytë stërvitore, në të njëjtin vend.

Edon Zhegrova me shokë do të ushtrojnë prej orës 16:00, ndërsa sot pritet që trajneri gjerman ta ketë ekipin e kompletuar.

Kosova po bëhet gati për dy ndeshjet e tetorit në Ligën e Kombeve, në kuadër të Ligës C, Grupi 2.

Fillimisht më 12 tetor, respektivisht këtë të shtunë, Dardanët do ta vizitojnë Lituaninë, kurse tri ditë më parë, më saktësisht më datën 15 të këtij muaji, të martën tjetër, Kosova do ta presë Qipron në stadiumin e rihapur “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Trajneri Foda nuk e ka fshehur synimin e tij për t’i fituar të dy ndeshjet e tetorit.

Aktualisht, Kosova është e dyta në tabelë me 3 pikë, prej tyre një fitore e një humbje, të regjistruara në muajin shtator.

Ekipi kombëtar ishte mposhtur nga Rumania në shtëpi, 0:3, ndërsa më pas e kishte mposhtur Qipron në udhëtim, 4:0.

Kosova vazhdon sot me përgatitje për ndeshjet e tetorit / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Share.
Exit mobile version