Kombëtarja e Kosovës sonte do të përballet me Rumaninë, në një nga ndeshjet më të rëndësishme të këtij edicioni të Ligës së Kombeve.

Gjatë ditës së djeshme përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda dhe mesfushori Elvis Rexhbeçaj, dolën në konferencë për media. Foda shprehu besimin e tij për një paraqitje të fuqishme të ekipit dhe theksoi rëndësinë e respektit në fushën e lojës. Ai rikujtoi se Kosova ka udhëtuar në Rumani me qëllimin e vetëm për të fituar këtë ndeshje, të cilën e cilësoi si “finale” për ekipin e tij.

Pavarësisht se ndeshjen e parë në Prishtinë Rumania e fitoi me rezultat 3:0, Foda beson se Kosova është e gatshme të luftojë për fitore dhe të tregojë rritjen që ka arritur kohët e fundit.

Ai tutje tha se ashtu sikurse secila skuadër, edhe Rumania ka pikat e saj të dobëta, por ka edhe pika shumë të forta. Foda tha se do të ketë ndryshime nga ndeshja e parë në shtator, qoftë taktike apo edhe në qasje të lojës.

Duke komentuar një deklaratë të homologut të tij te Rumania për Edon Zhegrovën, Foda vlerësoi formën e lojtarit, i cili po tregon cilësi të shkëlqyeshme me skuadrën e tij te Lille, por theksoi se për të pasur sukses kundër Rumanisë, Kosova duhet të veprojë si një skuadër e bashkuar në mbrojtje dhe në sulm.

Kosova sonte përballet me Rumaninë, shpreson në fitore / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Share.
Exit mobile version