Kombëtarja e Kosovës U17 në konkurrencën e vajzave të hënën pritet të udhëtojë drejt Portugalisë, ku do të zhvillohet faza e dytë (finale) e kualifikimeve për Kampionatin Evropian “Suedia 2024”, ka njoftuar Federata e Futbollit e Kosovës.
“Dardanet” e reja janë të përfshira në Grupin 2 të Ligës A, ku bëjnë pjesë edhe Portugalia, Finlanda dhe Islanda. Ndeshjet e këtij grupi do të zhvillohen prej 21 deri më 27 shkurt. Në këtë fazë të Ligës A do të përcaktohen shtatë skuadrat që do t’i bashkohen Suedisë në turneun final të Evropianit, që mbahet prej 5 deri më 18 maj, derisa skuadrat e fundit në grupe në edicionin e ardhshëm do të garojnë në Ligën B.
Përzgjedhësja Sanije Krasniqi për këtë fazë do të ketë në dispozicion njëzet futbolliste, ku trembëdhjetë prej tyre janë nga kampionati vendor e shtatë nga klubet jashtë vendit.
Kombëtarja e Kosovës U17 udhëton drejt Portugalisë / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.