Babai i Arbër Zenelit, Avniu ka treguar se djalit të tij i është bërë një padrejtësi nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), të cilët ia kanë marrë fanellën me numrin 10 gjatë kohës sa ishte i ftuar, për t’ia dhuruar Edon Zhegrovës.

Avniu ka shpjeguar se Arbëri ka mbetur shumë i prekur nga veprimi i FFK-së, ngase as nuk e kanë informuar për arsyen, ndërsa edhe vetë atë kohë përzgjedhësi slloven Primoz Gliha i ka konfirmuar se ishte vendimi i Federatës.

“E kam vërejtur që askush nuk e pranon fajin e vet aq lehtë, mjegulla është te ata nuk është te Arbëri dhe Besforti. Dobësitë që ka bërë Federata ndaj Arbërit, vjet kur kanë luajtur për kualifikime për Evropian, ndaj Rumanisë”.

“Qysh janë rregullat, qysh më kanë thënë përpara, kur e fton lojtarin ajo fanellë nuk i dërgohet asnjë lojtari, por atij lojtari që ekziston aty, këta e kanë bërë”.

“Lojtari i ftuar me qenë aty, e me ia dërguar fanellën tjetër kujt, ky është nënçmim i tmerrshëm dhe plus e kanë ftuar. Djali është munduar me ju thanë “pse më keni ftuar nëse bëni kësi gjëra, fanellën jepja kujt dush. Unë nuk jam i ftuar dhe ishim mbetur paq”. E kanë ftuar për me ia bo poshtërsinë dhe ta diskriminojnë, ky është diskriminim total dhe s’ka ma keq e vështirë”.

“Atë numër ia kanë dhënë Zhegrovës, ne s’kemi asgjë me të, më pëlqen si lojtar, nuk i ka fajet ai, i ka fajet federata”, tha ai në një intervistë për “Klan Kosova”.

Ai gjithashtu potencoi se Arbëri kur ka kërkuar llogari në lidhje me këtë nga drejtori i kombëtares Bajram Shala, ky i fundit i ka thënë le të bisedojë me trajnerin.

Por siç tregon Avniu, ish-trajneri Primozh Gliha, i ka thënë që ky veprim është marrë nga Federata e Futbollit e Kosovës.

“Kur ka shkuar Arbëri me fol me Bajramin ai ka thënë nuk jam përgjegjës, fol me trajnerin. (Primozhv Gliha) ai i ka thënë se nuk vendos unë, por vendos federata”, deklaroi ai.

Përndryshe, Zeneli ka qenë në listën e gjerë të Kosovës këto dy muajt e fundit, por që s’është ftuar në ekipin e parë.

Ia morën fanellën me numrin 10, babai i Arbër Zenelit tregon parapaskenat / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Share.
Exit mobile version