Kapiteni i Manchester United, Bruno Fernandes, raportohet se ka hedhur poshtë një ofertë të madhe nga Al-Hilali në janar, por gjiganti arab do të tentojë përsëri transferimin e tij gjatë verës.
Mediumi portugez Record ka raportuar se Bruno Fernandes ka marrë një ‘ofertë astronomike’ nga Liga Saudite, por mesfushori portugez i është ‘përgjigjur negativisht’ asaj.
Pasi iu bashkua Manchester Unitedit për shumën e 68 milionë eurovë në janar të vitit 2020, Fernandes ndihet se ka ende gjëra për të arritur tek klubi anglez. Por, përkundër refuzimit të Fernandes, interesimi i Al-Hilalit nuk është zhdukur, andaj ata do të vijnë me një ofertë të re gjatë verës.
Gjatë 12 muajve të fundit, Al-Hilal ka bërë transferimin e disa futbollistëve të njohur në botën e futbollit si Ruben Neves, Sergej Milinkovic-Savic, Kalidou Koulibaly, Neymar etj.
Tani ata janë lider të Ligës Saudite me shtatë pikë më shumë se Al-Nassr në vendin e dytë, dhe kjo krejt falë investimeve të tyre të mëdha.
Bruno ka bërë 215 paraqitje për “Djajtë e Kuq”, duke shënuar 71 gola dhe duke dhuruar 60 asistime. Por, trofeu i Carabao Cup të cilin e fitoi sezonin e kaluar, mbetet i vetmi në këto katër vitet e tij të fundit në klub.
Gjendja në Ligën Premier nuk është aspak e mirë për Fernandes dhe shokët e tij të skuadrës këtë sezon, pasi momentalisht ata janë nëntë pikë larg top katërshes, duke u pozicionuar në vendin e tetë.
I refuzoi në janar, por gjiganti arab nuk ka hequr dorë nga transferimi i Bruno Fernandes / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.