Përparim Hetemaj e ka zemrën e ndarë në gjysmë. Nga njëra anë Kosova, atdheu i braktisur kur ishte fëmijë pak para shpërthimit të luftës. Nga ana tjetër Finlanda, vendi ku ai u rrit dhe që tani e quan shtëpi.
Në mes të këtyre dyjave është Italia, vendi ku realizoi ëndrrën e tij: të bëhej futbollist.
Megjithatë, në kampin e refugjatëve në Olou të Finlandës – ku ai mbërriti bashkë me familjen e tij nga Kosova paraluftës, realiteti ishte ndryshe: “Që kur isha fëmijë më ka pëlqyer gjithmonë të luaja futboll, por të gjithë më thoshin se duke shqelmuar topin nuk fiton asgjë. Në fund ia dola“, thotë ish-lojtari i Chievos për gianlucadimarzio.com.
“Kur filloi lufta nuk ishte aspak e lehtë”, vazhdon Hetemaj. “Shumë nga familjarët tanë humbën jetën. Xhaxhai im u vra. Ishin kohë të rënda, edhe sepse ishim në Finlandë dhe nuk merrnim asnjë lajm, përveç asaj që thuhej në televizion”.
Megjithatë, ai kurrë nuk e ka harruar Kosovën e tij: “Unë gjithmonë kam refuzuar të luaj kundër tyre në kombëtare. Nuk mundesha kurrë. I mendoja gjërat me zemër, nuk do të kisha qenë njësoj në fushë”.
Rrugëtimi futbollistik i Hetemajt nisi në Greqi, në AEK të Athinës, ku u transferua nga Finlanda.
Këtu ndër të tjera përballet edhe me Milanin në Champions League. Një shije e asaj që do të jetë faza kryesore e karrierës së tij: Italia. Ai mbërriti në Itali në vitin 2009, në Brescia që udhëhiqej nga Beppe Iachini: “Trajneri ishte një nga njerëzit që më ndihmoi të akomodohem më shumë se kushdo tjetër. Nuk do ta harroj kurrë golin tim të parë. Luanim kundër Romës, nëna dhe motra ime ishin atje në tribuna, nuk prisja kurrë të shënoja, pastaj erdhi ai gol historik, i pari nga një finlandez në Serinë A”.
Me kalimin e viteve ai u kthye në një futbollist me eksperiencë në futbollin italian, duke u bërë shtyllë e Chievos. Fanella verdheblu bëhet si një lëkurë e dytë për shqiptarin: “Kam kaluar disa vite të mrekullueshme, Verona ishte një qytet fantastik. Ishte një realitet shumë i bukur, ai i një klubi lagjeje që luante në nivelet më të larta në Itali. Chievo është pjesë e jetës sime, më vjen shumë keq të shoh se si përfundoi”.
Chievo ka falimentuar disa vite më parë dhe ka ndryshuar emrin. Tani po zhvillon gara në kategoritë më të ulëta të futbollit italian.
Personi që tani mund t’i rikthejë verdheblutë në krye është një ish-shok i Hetemajt, si dhe legjendë e klubit, Sergio Pellisier: “Kam kujtime të mira me Pellisierin, ishte lojtar i madh. Kur e godiste topin. Ai më linte gjithmonë pa fjalë, ishte shumë i fortë, shpresoj se mund ta kthejë Chievon në krye, ku e meritojnë”.
Hetemaj qëndroi në Itali për 11 vite. Pastaj, luajti edhe për Beneventon. Në total, i zhvilloi mbi 300 ndeshje në Itali.
Shqiptari nga Drenica e përfundoi karrierën e tij profesionale dhjetorin e kaluar. Ai e bëri atë në Finlandë, duke e veshur fanellën e HJK Helsinkit.
Më pas ai mbeti në klubin e kryeqytetit finlandez si trajner i ekipit U-23 dhe ka pretendime të arrijë kulmin edhe si trajner.
Hetemaj: Gjithmonë refuzova të luaj kundër Kosovës, nuk mundesha kurrë / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.