Në një mbrëmje të paharrueshme boksi në Riyadh, Oleksandr Usyk triumfoi ndaj Tyson Fury-t, duke mbrojtur titujt e tij botërorë në peshën e rëndë. Me një paraqitje të shkëlqyer, Usyk fitoi me vendim unanim të gjyqtarëve, të cilët e vlerësuan ndeshjen 116-112 në favor të tij.

Ndeshja filloi me një ritëm të lartë, ku Fury shfaqi agresivitet në raundet e para. Megjithatë, Usyk demonstroi lëvizje të shkëlqyera dhe një strategji të mirëfilltë, duke marrë kontrollin në raundet e mëvonshme.

Në raundin e nëntë, Usyk goditi Fury-n me një seri grushtesh të pandërprera, duke e lëkundur seriozisht kundërshtarin.

Pas ndeshjes, Tyson Fury tha se mendon që ai e fitoi duelin.

“Unë mendoj se e kam fituar meçin. Mendoj se i kam fituar të dy përballjet, por po shkoj në shtëpi me dy humbje në bilancin tim. Nuk mund të bëjë asgjë, pos të luftojë me gjithë zemër. Unë do të besoj deri sa të vdes se e kam fituar luftën. Isha agresiv, po diktoja ritmin, po jepja goditje në trup dhe kokë. Frank Warren (promotori i tij) më kishte tri-katër raunde para. Shumë njerëz vlerësuan se isha dy raunde para. Por, s’mund ta ndryshoj vendimin. Kur nuk fiton me nokaut ndodh kjo”, tha Fury, transmeton “The Guardian”.

I pyetur nga një gazetar ukrainas, nëse pajtohet se Usyk ishte i inspiruar nga shpirti luftarak i vendit të tij të përfshirë nga lufta, Fury tha: “S’pash ndonjë shpirt. Më është dukur si atmosferë e Krishtlindjes dhe mendoj se mori dhuratë për Krishtlindje nga gjyqtarët”.

Fury: Do të besoj derisa të vdes se e kam fituar meçin / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Share.
Exit mobile version