Boksieri shqiptar i kategorisë velter Florian Marku do të përballet me britanikun Chris Kongo në mars të këtij viti, raporton “Sky Sports”.
Dy boksierët janë pajtuar të përballen mes vete.
Ata kishin pasur një konfrontim mes vete në një konferencë për media në gusht të vitit të kaluar.
“Ai donte që ta shihnin njerëzit. E dija se e donte këtë përballje. Unë i thashë atij ‘së pari mposhti ata që të kanë mposhtur’ e më pas eja të flasim. Ai nuk po largohej dhe unë e shtyva”, ka sqaruar Marku.
Marku në boksin profesionist ka 13 fitore (8 KO) dhe një barazim.
Meçin e fundit ai e zhvilloi në shtator të vitit të kaluar, kur e nokautoi irlandezin Dylan Moran qysh pas 54 sekondave.
Chris Kongo ka 14 fitore e dy humbje. Ai humbjen e fundit e regjistroi në janar të vitit të kaluar. U mposht me pikë pas 12 rundeve nga Ekow Essuman në luftën për disa tituj, përfshirë edhe IBF European dhe WBC International.
Florian Marku përballet me Chris Kongo në muajin mars / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.