Mediumi i njohur i sportit “Goal.com” ka përzgjedhur fituesit dhe humbësit e Evropianit 2024.
Në këtë listë janë lojtarë dhe disa menaxher që përmbyllën garën si fitues dhe si humbës. Në mesin e tyre janë Lamine Yamal, Kylian Mbappe, Gareth Southgate dhe Cristiano Ronaldo, përcjell gazeta online Reporteri.net.
Fitues: Lamine Yamal
Lamine Yamal mbushi 17 vjet të shtunën. Të dielën në mbrëmje festoi duke e ndihmuar Spanjën që të fitonte Evropianin. “Dhurata më e mirë për ditëlindje”, tha Yamal pasi u shpall Lojtari më i mirë i ri i Evropianit.
Ai ishte lojtari më i ri në moshë që ka luajtur në finale të Euros apo të Kupës së Botës.
Humbës: Gareth Southgate.
Gareth Southgate është djalosh. Është fort i popullarizuar me lojtarët dhe me mediat. Nëse flitet për statistika, ai gjithashtu është menaxheri më i suksesshëm në histori të Anglisë. Ama, nuk ka fituar asnjë trofe me “Tre Luanët” dhe as nuk do të fitojë. Nuk është mjaftueshëm i guximshëm.
A e zhgënjyen disa yje në Gjermani? Natyrisht. A ishin faktorë kyç lëndimet dhe lodhja në performancën e dobët të Anglisë? Padyshim. Por realiteti brutal është se Southgate përsëri dështoi që të nxirrte më të mirën nga talenti që kishte në dispozicioni, kjo për shkak të konservatorizmit që ka në lojën e tij.
Humbës: Bashkëmenaxherët e Portugalisë
Ishte punë goxha e rëndë që ta merrje vesh kush po e drejtonte Portugalinë në Gjermani. A ishte trajneri Roberto Martinez? Ose kapiteni Cristiano Ronaldo? Apo ishin të dy bashkë.
Për siguri dihet se dyshja kishte marrëveshje për një gjë: që Ronaldo do të startonte në secilën ndeshje, pa marrë parasysh sa do të kishte efekt ai në ekip.
Por duke u bazuar në planin e lojës përreth Ronaldos gjithçka shkoi keq. Ronaldo dështoi të realizonte gol, ani pse luajti më shumë minuta se çdo lojtar tjetër portugez.
Humbës: Kylian Mbappe
Kylian Mbappe ishte shumë i sinqertë për formën e tij në Euro pasi u eliminua me Francën nga Spanja: “Ishte dështim”, tha shkurt ai. Tek ai ndikuan shumë faktorë.
Thyerja e hundës në ndeshjen ndaj Austrisë e detyroi të mbante maskën që e urrente, teksa taktikat e thata të Didier Deschamps dolën të gabuara.
Por Mbappe nuk luajti mirë në Gjermani. Kishte shumë pak rast shënimi, edhe kur i kishte i humbi.
Fitues: Toni Kroos
Toni Kroos gjithmonë kishte kritika. Është lojtar dhe person që thyen opinionet. Edhe në lojën e tij të fundit si futbollist, ai zhgënjeu të gjithë kur ndërhyri ndaj Pedrit, ndërhyrje që disi shpëtoi me karton të verdhë.
Mirëpo, ka vetëm një gjë me të cilën pajtohen të gjithë kur është puna te Kroosi. E kuptoi se kur duhej ndaluar së luajturi futboll. Në fakt, në sezonin e tij të fundit, ishte kyç për trofetë e Real Madridit në La Liga dhe në Ligën e Kampionëve.
Edhe në Evropian ishte fantastik dhe e la ashtu siç e ka nisur.
“Faleminderit futboll, lojë e bukur”, shkroi ai në postimin e pensionimit “Dhe… nuk ka përse”.
Fitues: Gjeorgjia
Askush nuk mbajti shpresë për Gjeorgjinë që do të arrite në fazën e eliminimit direkt në Evropian. Kishte dyshime për shkak se po debutonte në Evropian. Sidoqoftë, pas lojërave të mira kundër Turqisë dhe Republikës Çeke, Gjeorgjia befasoi botën kur mposhti Portugalinë.
Sulmuesi Georges Mikautadze bëri edhe më shumë emër me golat e tij, teksa Khvicha Kvaratskhelia tregoi se përse cilësohet si njëri nga anësorët më të mirë në botë.
Para se të niste Evorpiani, Gjeorgjia dukej si ekipi më i dobët. Por doli se është ekip që duhet ndjekur me vëmendje.
Fituesit dhe humbësit e Evropianit / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.