Stadiumi “Rexhep Rexhepi” sot ka qenë dëshmitar i një ndeshje të zjarrtë, me gola të shumtë të shënuar.
Feronikeli ’74 i bëri konak Ballkanit, me ndeshjen që u luajt në kuadër të xhiros së 30-të në elitën e futbollit kosovar.
Ndeshja u mbyllë me shifrat prej 3-3, me kampionin në fuqi që doli me vetëm një pikë nga “Rexhep Rexhepi”.
Epërsinë i pari e gjeti Ballkani, pas një goli të Almir Kryeziut në minutën e 11-të.
Por, nga Nikli në skenë doli Sokol Kiqina, i cili e barazoi ndeshjen në 1-1 me golin e tij të shënuar në minutën e 27-të.
Pjesa e parë u mbyllë me epërsinë e Ballkani, pasi portokallezinjtë shënuan në minutën e 43-të me anë të Bleart Tolaj.
Por, Feronikeli edhe një herë barazoi, me anë të lojtarit të njëjtë. Sokol Kiqina shënoi një supergol për t’i baraspeshuar gjërat në këtë përballje.
Almir Oda i Ballkanit edhe një herë e vendosi klubin mysafir në epërsi, pasi shënoi gol 20 minuta para fundit të kohës së rregullt.
Megjithatë, Armend Kryeziu nuk la që Ballkani të largohet me tre pikë nga Drenasi. Ai shënoi në minutën e 88-të me një gol me kokë.
Me këtë barazim, Ballkani mbetet 12 pikë pas Dritës, që është lidere në tabelë. Kampioni në fuqi ka 54 pikë.
Në anën tjetër, Feronikeli ’74 po luan për krenari, pasi tashmë edhe zyrtarisht ka rënë nga Superliga dhe nga sezoni i ardhshëm do të luajë në Ligën e Parë.
Nikli ka 15 pikë nga 30 ndeshje të zhvilluara në edicionin e sivjetëm në Superligë.
Ndeshjen e ardhshme, Feronikeli ’74 i shkon Dukagjinit në Klinë, teksa Ballkani do të ketë punë me Malishevën./Expres
Feronikeli ’74 e ndalë Ballkanin, festival golash në Drenas / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.