Shqipëria u mposht ndaj Spanjës me rezultatin 0-1 në ndeshjen e tretë të Grupit B teksa këtu mbyllet edhe Europiani për kuqezinjtë. Pas kësaj sfide, foli Armando Broja, teksa sulmuesi kuqezi e pranoi se do të kishte dëshiruar më shumë minuta nga ky europian ndërsa shtoi se pavarësisht kundërshtarëve, Shqipëria ishte gjithmonë në lojë duke luftuar.

“Ishim të kënaqur, çunat dolën me kokën lart. Të treja ndeshjet i dinim që do të ishin të vështira, janë skuadra të nivelit të lartë. Por, në ndeshje nuk është se na shkatërruan apo mbytën, të mbajmë kokën lart për atë që arritëm. Le të jemi krenarë. Më shumë minuta? Normal, është një turne shumë i bukur, çdo katër vite.

Ndoshta e luan një herë në jetë, të gjithë duan të luajnë çdo minutë. Kisha pasur qejf të luaja më shumë, por unë jam lojtar dhe vendimet i merr trajneri dhe unë e respektoj. Unë me sa minuta që më jep ai jap maksimumin, ndoshta në ndeshjen e parë mund të bëja më mira, por ishte e vështirë. Edhe ndeshjen e dytë pata qejf të luaja, apo edhe të startoja, por është trajneri që vendos.

Jam shumë i kënaqur se tifozët më kanë mbështetur gjithmonë, është diçka e bukur. Kam shumë respekt për shqiptarët që më mbështesin, edhe kur u dëmtova më kanë nisur mesazhe. I kam pasur nga pas dhe i falënderoj”, tha ai.

Evropiani, Broja: Do të kisha pasur dëshirë të luaja më shumë / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Share.
Exit mobile version