Presidenti i FSHF-së, Armand Duka  ka dhënë detaje nga Kongresi i 49-të i UEFA-s në Beograd, aty ku fillimisht u dogj një flamur i Kosovës, e më pas edhe u larguan simbolet shtetërore nga Kongresi.

Duka thotë se e ka parë si zhvillim pozitiv të gjithë ngjarjen në Beograd, dhe se ka qenë kënaqësi që flamuri i Kosovës valvoi në kryeqytetin serb.

“Nga pikëpamja e protokollit për ata ka qenë e përgatitur çdo gjë mirë dhe unë e kam parë si zhvillim pozitiv, e kam parë kështu siç ta thash, që flamuri i Kosovës për herë të parë vendoset në Beograd dhe vërtetë ka qenë një kënaqësi tjetër për mua duke qenë pjesë e futbollit, pjesë e UEFA-s, pjesë e federatave, qoftë e Shqipërisë dhe e Kosovës, që këtë gjë e ka bërë futbolli dhe ky ka qenë qëllimi i publikimit, pa dashtë me acaru askënd”, ka thënë ai.

Duka shtoi më tutje duke thënë se nuk duhet t’i bëjmë gjërat pozitive në negative, duke dhënë edhe një mesazh se futbolli është mbi të gjithë.

“Ta kishin komentuar si një zhvillim pozitiv dhe mos të kapemi me gjëra për ta bërë zhvillimin negativ edhe atë që është pozitiv. Futbolli është kaq shumë i rëndësishëm, është kaq shumë i madh sa që ka impakt edhe në zhvillimet shoqërore, apo qoftë edhe ato politike, dhe kur këto janë pozitive unë mendoj se duhet t’i komentojmë pozitivisht”, tha ai në një intervistë ekskluzive për emisionin sportiv “Favorit” në T7.

Presidenti i FSHF-së dhe njëherësh edhe zv. President i UEFA-s ka përshkruar në detaje ndodhitë në Kongres.

“Unë kur kam hyrë në Kongres, flamuri i Kosovës ka qenë në tavolinë, jam ulur në podiumin e Kongresit dhe pastaj nuk e kam parë momentin se kur është hequr, apo kur nuk është hequr flamuri. Kam parë thash flamurin kombëtar, të Kosovës në hyrje të sallës së Kongresit dhe e kemi filmuar atë. Mendoj që dmth, UEFA ka respektuar protokollin dhe zhvillimin dhe e ka detyrim në fund të fundit sepse nuk po bën ndonjë privilegj për Kosovën, që të respektojë të gjithë anëtarët në mënyrë të barabartë, përfundoi Duka.

Duka aludon se autoritetet serbe dhe Federata e Serbisë janë ndjerë të rrezikuar nga ekstremistët serbë dhe andaj kanë ndodhur gjërat siç kanë ndodhur.

“Nuk ka pasë asnjë lloj beteje sepse Kongresi ka filluar me flamurin në vend. Pa dyshim që ka pasë një lloj acarimi të këtyre ekstremistëve mbase jashtë sallës së hotelit. Thash, edhe më shumë këto i kam parë në media, në rrjete sociale dhe nuk është se kam parë ndonjë gjë aty. Ka pasë një lloj shqetësimi të atyre, qoftë të federatës serbe dhe të autoriteteve serbe sepse janë ndjerë në një lloj mënyrë mbase të kërcënuar nga këto grupet ekstremiste atje në Beograd”, tha Duka./GazetaExpress/

Duka: Kënaqësi e madhe që flamuri i Kosovës u ngrit në Beograd / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Share.
Exit mobile version