Sezoni i Milanit, përveçse me një rezultat jo të kënaqshëm (2-2 ndaj Torinos), nisi me një dëmtim muskulor.
Alvaro Morata, sulmuesi titullar i kuqezinjve, i cili mbërriti në merkaton e verës për 13 milionë euro nga Atletico Madrid, pësoi një dëmtim në kofshë dhe nuk dihet se kur mund të kthehet të luajë sërish.
Sigurisht, në ndeshjet e radhës kundër Parmës dhe Lacios, të planifikuara për datat 24 dhe 31 gusht, spanjolli do të mungojë. Me gjasë do të kthehet pas ndalesës së kampionatit për kombëtaret, që do të thotë në mesin e shtatorit.
Milan-Venecia do të luhet në datën 15 shtator, por ka mundësi që Milani ta ruajë sulmuesin për ta pasur në fushë në kushtet më të mira kundër Interit, në derbin e 22 shtatorit. Gjithsesi, një mungesë pothuajse 1-mujore bën që edhe kundër Interit, vështirë se Morata mund ta nisë ndeshjen si titullar.
Dëmtohet Morata, rrezikon edhe derbin e muajit të ardhshëm / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.