Kombëtarja e Kosovës sonte do të zhvillojë takimin e fundit në kuadër të Ligës së Kombeve për këtë edicion.
Ndeshja do të luhet në “Fadil Vokrri” dhe nis nga ora 20:45.
Për këtë ndeshje, të pranishëm si gjithmonë do të jenë edhe nga tifogrupi “Dardanët”.
Pak orë para ndeshjes së sontme, në një postim në rrjetin social “Facebook”, tifogrupi i Kosovës ka shpalosur dy dedikime të veçanta për sonte.
Së pari për veteranin e luftës së Kosovës, Liman Musliun, i cili para pak ditësh humbi jetën.
“Luftëtarin dhe veteranin e UÇK-së, Liman Musliun, sonte e nderojmë me krenari. Përjetë falënderues ndaj veprës së tij gjatë kohës së luftës, ashtu sikurse të çdo njeriu që shporri me shkrepjet e veta të lirisë armikun nga kjo trevë. Mos të ishe ti nuk do të ishim ne, Liman. Lavdi!”, shkruhet në postimin e “Dardanëve”.
Tutje, ata kanë vendosur edhe për një pankartë në mbështetje të futbollistit Erjon Morina, i cili po lufton me jetën.
“Sigurisht se në epiqendër kemi për arsye tjera edhe futbollistin tonë të ri, Erjon Morina. Të Plotfuqishmit vazhdojmë t’i lutemi dhe t’i besojmë se sfida me të cilën po kalon do të përfundojë sa më shpejt. Dardanët në çdo formë qendrojnë në mbështetje dhe afër tij. Bëje Zot!”, shkruan faqja zyrtare e tifogrupit.
“Dardanët” me dedikime të veçanta sonte në ndeshjen ndaj Lituanisë / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.