Lojërat Olimpike kanë nisur zyrtarisht, teksa mbrëmjen e sotme u mbajt dhe ceremonia hapëse e eventit më të madh sportiv në histori.
Parisi do të bëhet pritëse e sporteve më të njohura, me planetin që do të kthejë “sytë” nga Parisi për javët e ardhshme.
Ndryshe nga herët e tjera, parada e flamurëve kësaj radhe është bërë me anë të varkave që lundronin gjatë lumit Senë.
Në këto Lojëra Olimpike Kosova do të marrë pjesë me nëntë sportistë.
Ndërkaq, presidentja Vjosa Osmani është lajmëruar në faqen e saj në Facebook, pak minuta para nisjes së ceremonisë hapëse të Lojërave Olimpike që po mbahen në Paris.
Osmani i ka ofruar mbështetje ekipit të Kosovës, për të cilin ka thënë se është më i miri nga të gjitha ekipet që po marrin pjesë, shkruan Reporteri.net.
“Pritet për 30 minuta me fillu ceremonia e lojërave olimpike këtu në Paris. Jemi këtu për t’i dhënë gjithë mbështetjen e nevojshme ekipit të Republikës së Kosovës, ekipit më të mirë nga të gjitha ekipet që po marrin pjesë në lojërat olimpike. Një ekip i jashtëzakonshëm, i përgatitur, që kanë punuar ditë e natë që të na përfaqësojnë në mënyrën më të mirë të mundshme. Jam e bindur që do të jetë një ceremoni për ta mbajtur mend”, ka thënë Osmani.
Ceremoni madhështore në hapje të Lojërave Olimpike / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.