Përzgjedhësi i Kombëtares U21 të Shqipërisë në futboll, Alban Bushi, ka thënë se organizmi i Evropianit 2027 për grupmoshën U21 është gjëja më e bukur që i ka ndodhur ndonjëherë Shqipërisë.

Shqipëria e organizon Evropianin e Shpresave së bashku me Federatën e Futbollit të Serbisë dhe për këtë kritikat ndaj FSHF-ja janë të shumta e të vazhdueshme.

Bushi të hënën në konferencë për media ka thënë se Shqipëria do të ketë shumë përfitime në aspektin sportiv nga organizimi i Evropianit të 21-vjeçarëve.

Kandidatura e përbashkët e Shqipërisë dhe Serbisë është e vetmja, ndërsa në dhjetor, në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, vendimi që Evropiani të mbahet në këto dy vende pritet të zyrtarizohet.

Për Bushin ka pak rëndësi që Shqipëria është organizatore së bashku me Serbinë.

“Më duket zgjedhje shumë e mirë, sepse është gjëja më e bukur që i ka ndodhur ndonjëherë Shqipërisë, të organizojë Kampionatin Evropian, nëse vendoset të bëhet. Nuk më intereson me kë bëhet, me Serbinë apo Slloveninë. Më intereson nga ana sportive, është diçka jashtëzakonisht e madhe, siç ishte dhe finalja e Ligës së Konferencës. Nuk i di të gjitha detajet, por është Kampionat Evropian dhe Shqipëria ka shumë përfitime”, ka thënë Bushi.

Në Kosovë, por në një masë edhe në Shqipëri, po kundërshtohet ashpër vendimi që FSHF-ja ta organizojë bashkë me Serbinë këtë ngjarje kontinentale.

Bushi foli në konferencë të hënën, në fund të kualifikimeve për Euro 2025. Shpresat e Shqipërisë dështuan të kualifikohen në Evropian.

Shqipëria mbylli kualifikimet në vendin e katërt me 16 pikë. Grupin E e fitoi Rumania me 22 pikë, kurse Finlanda do të paraqitet në plejof. Jashtë Evropianit mbeti edhe Zvicra, që përfundoi e treta me 18 pikë.

“Ndihem mirë, pavarësisht se objektivat nuk kanë qenë pikët dhe nuk ka qenë kualifikimi. Ne vetë si staf duam të kualifikohemi. Atë mentalitet ia japim edhe ekipit sapo ata vijnë në grumbullim. Ne duhet të kualifikohemi, të fitojmë, të luajmë mirë e bukur. Pikët janë dytësore. Sigurisht që ndihem mirë, sepse janë 16 pikë, nuk janë pak, pasi kemi luajtur me kundërshtarë shumë të fortë. Mendoj që jemi në rrugë të mirë. Duhet ta marrim hap pas hapi për të arritur lart. Nuk mund të shkojmë nga vendi i fundit në vend të parë. Kundërshtari është me vite më larg se ne dhe nuk mund ta kalosh menjëherë. Edhe fati ndonjëherë nuk na ndihmon, sepse kundërshtari ka bërë më shumë se ne. Zvicra ka punuar më shumë se ne, Finlanda dhe Rumania gjithashtu”, është shprehur Bushi.

Alban Bushi ka folur edhe për çështje të tjera. Por vëmendjen e ka marrë deklarata e tij për organizimin e përbashkët të Evropianit, Shqipëri – Serbi.

Nëse ky projekt nuk stopohet, atëherë ndeshja e parë planifikohet të luhet në Tiranë, ndërsa finalja e Evropianit U21 të vitit 2027 në Beograd.

Tifozët e Shqipërisë, Tifozat Kuq e Zi, po e kundërshtojnë vazhdimisht këtë organizim të përbashkët, që ende pritet të zyrtarizohet.

Bushi për Evropianin me Serbinë: Gjëja më e bukur që i ka ndodhur Shqipërisë / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Share.
Exit mobile version