
Besfort Zeneli i cili e la Kosovën, tashmë i ka bërë dy paraqitje me Suedinë. Ai luajti 11 minuta në miqësore ndaj Irlandës Veriore, teksa paraprakisht kishte luajtur një pjesë në ndeshjen ndaj Luksemburgut.
Ai është i lumtur që iu realizua ëndrra duke iu bashkuar Suedisë dhe pret që të ftohet edhe në të ardhmen.
Në një intervistë për mediumin suedez, Aftonbladet, Besforti ka folur edhe rreth reagimit të tij dhe të familjarëve, në momentin kur mori ftesën nga kombëtarja e Suedisë dhe vendimin e tij për ta përfaqësuar Suedinë.
“Për mua ka qenë gjithmonë e qartë që dua të luaj për Suedinë. Vitin e kaluar refuzova ftesën e Kosovës, duke marrë një rrezik të madh, por e dija se doja të ndiqja ëndrrën time. Tani ndihem i lehtësuar që u thirra për këtë grumbullim. Jon (trajneri i Suedisë) më telefonoi dhe më shpjegoi se si më shihte. Më tha se më kishin ndjekur për nëntë muaj dhe ishin të impresionuar nga paraqitjet e mia. Që në fillim më la të kuptoja se do të isha pjesë e kombëtares për këtë grumbullim në mars”, rrëfeu mesfushori.
Ish-futbollisti i Kosovës U21, me të cilën i pati gjashtë paraqitje, ishte me vëllain e tij Arbrin kur e mori ftesën për grumbullim.
Arbri është lojtar i famshëm i Kosovës, anipse aventura e tij së fundmi ka marrë dimension tjetër nga ai i mëhershmi që shkëlqente.
Arbri ishte shumë i pafatë me lëndimet, të cilat ia pamundësuan të arrinte potencialin e madh që kishte.
Derisa Arbri ishte me Besfortin kur e mori ftesën, babai i tyre ishte në punë dhe kishte qarë kur e kishte marrë vesh lajmin.
“Arbri ishte pranë meje dhe dëgjoi gjithçka. Pastaj telefonova babanë, sepse ai ka një rëndësi të madhe për mua. Ai qau nga gëzimi në punë kur i tregova lajmin. Ishte shumë i lumtur”, tha 22-vjeçari.
Për përformancën e tij në debutim ndaj Luksemburgut, lavde thurën edhe disa prej bashkëlojarëve të Besfortit.
“Ai bëri një paraqitje të mirë. Kërkonte topin, vrapoi dhe luftoi në fushë. Sigurisht që ishte e vështirë, pasi nuk funksionuam si ekip, por ai duhet të jetë krenar për debutimin e tij”, tha Jesper Karlström.
Edhe Alexander Isak ndau të njëjtin mendim.
“Bess bëri një pjesë të parë të mirë. Ishte një ndeshje e vështirë për t’u përfshirë, sidomos kur luanim në atë mënyrë. Me pak më shumë fat, ai do të kishte dhënë një asist. Jam i lumtur për të”, tha sulmuesi i Newcastle pas ndeshjes.
Megjithëse tani po shijon një moment të artë në karrierë, rruga e tij nuk ka qenë aspak e lehtë.
Vit më parë, ai stërvitej me Elfsborgun, por nuk kishte një vend të garantuar në ekip. Ishte pjesë e skuadrës së parë prej dy sezonesh, por trajneri i atëhershëm, Jimmy Thelin, nuk i dha shumë hapësira.
Gjithçka ndryshoi kur Oscar Hiljemark mori drejtimin e ekipit. Hiljemark pa potencial te Zeneli dhe i dha më shumë mundësi për të luajtur.
“Oscar ka pasur një ndikim të madh në karrierën time. Ai më mori nën krahun e tij, më la të rritem dhe të fluturoj. Jam shumë mirënjohës për të dhe i lumtur që erdhi në ekipin tonë”, tha Zeneli.
Kur Hiljemark mori drejtimin, Zeneli u bë një lojtar kyç për Elfsborgun, duke luajtur një rol të rëndësishëm në kampionat dhe në ndeshjet europiane.
Megjithatë, periudha e vështirë kur qëndronte mes stolit dhe fushës la gjurmë tek ai:
“Ishte një periudhë shumë e vështirë. Në fillim, kur futesh në ekipin e parë, është më shumë për të ndjerë atmosferën. Por në sezonin e dytë mendova se do të merrja më shumë minuta, por gjithsesi ndodhesha mes bankinës dhe formacionit. Ishte shumë sfiduese, por kisha njerëz të mirë rreth meje dhe nuk e humba besimin. E dija se një ditë do të ndryshonte dhe ashtu ndodhi kur erdhi Oscar”, rrëfeu ai.
Largimi i Besfort Zenelit nga Kosova ishte vetëm njëri nga seria e shumë largimeve.
Vendimi i tij për të refuzuar dardanët dhe për të pritur kombëtaren e Suedisë pati ngjallur polemika jo vetëm pse ka ikur, por edhe për faktin se vëllai i tij e kishte zgjedhur Kosovën me dëshirë, për të cilin së fundmi ka pasur polemika rreth përqarjeve të tij me drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës dhe kombëtares, por që ende nuk janë qartësuar të gjitha se çka ka ndodhur./Express
Besfort Zeneli ishte me Arbrin kur e mori ftesën e Suedisë, thotë se babai kishte qarë kur mori lajmin / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.