Jude Bellingham ka qenë në qendër të një përplasjeje në stërvitje me një shok skuadre te Real Madridi, raportojnë mediat.
Me sfidën e kthimit të çerekfinales së Ligës së Kampionëve kundër Arsenalit në mendje, Bellingham u la pushim për ndeshjen e fundit të Realit, ku ata fituan 1-0 ndaj Alavesit.
Eduardo Camavinga shënoi golin e vetëm të takimit, vetëm katër minuta përpara se Kylian Mbappé të ndëshkohej me të kuq direkt pas një ndërhyrjeje të rëndë ndaj Antonio Blanco-s.
As Bellingham dhe as Vinicius Jr nuk u aktivizuan për të ruajtur freskinë para ndeshjes së madhe të së mërkurës, por raportohet se anglezi pati një seancë stërvitore të tensionuar një ditë para ndeshjes së së dielës.
Sipas El Chiringuito, Bellingham u përfshi në një incident të nxehtë me mbrojtësin Antonio Rüdiger dhe disa lojtarë të tjerë ndërhynë për t’i ndarë.
Gjatë një loje të shkurtër në kompleksin stërvitor të klubit, thuhet se Rüdiger bëri një ndërhyrje që nuk i pëlqeu aspak Bellingham-it, i cili reagoi duke e ofenduar.
Shokët e skuadrës ndërhynë dhe situata u qetësua para se të dilte jashtë kontrollit. Si Bellingham, ashtu edhe Rüdiger, ishin titullarë në humbjen 3-0 në ndeshjen e parë kundër Arsenalit dhe pritet të jenë sërish në fushë për sfidën vendimtare.
Reali tani ka përpara një mal për të ngjitur dhe duhet të realizojë një rikthim historik për të kaluar në gjysmëfinale. Por në një “Santiago Bernabéu” plot atmosferë, Carlo Ancelotti beson se skuadra e tij është mëse e aftë të bëjë të pamundurën në një tjetër mbrëmje magjike evropiane./Express
Bellingham u përplas me një bashkëlojtar në stërvitje, disa ditë para ndeshjes me Arsenalin / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.