Barcelona dhe Neymar është një histori e cila nuk përfundon asnjëherë dhe kjo vërtetohet nga zërat që po e lidhin brazilianin me një rikthim në Kataloni.

Blaugranasit e kanë bërë me dije në pothuajse 18 muajt e fundit se prioriteti i tyre në afatin kalimtar është transferimi i një sulmuesi të majtë kualitativ.

Ata dështuan në përpjekjet e tyre për transferimin e Nico Williams, por janë lidhur me një lëvizje për Rafael Leao dhe Luis Diaz, me këtë të fundit që është i etur të transferohet në Spanjë.

Ashtu siç do të donte edhe Neymar sipas agjentit të tij Andre Cury, i cili ka lidhje të afërta me Barcelonën.

“Ju e dini se ai asnjëherë nuk u desh të largohej dhe nëse ka një mundësi, ai do të ishte i kënaqur të rikthehet. Mendoj se nëse klubi shkon pas tij, rikthimi i tij është i realizueshëm”, ka thënë Cury.

Në ndërkohë, e përditshmja katalanase Sport ka raportuar se Barcelona i ka vendosur Neymarit një sfidë nëse ai dëshiron rikthimin në La Liga.

‘Shëno 15 gola me Santos fillimisht dhe pastaj do ta konsiderojmë transferimin tënd’.

Ky është mesazhi që i është dërguar Neymarit nga Barcelona, të cilët mendojnë se lojtari ka një ‘mal për t’u ngjitur’ për t’u rikthyer në formë optimale fizike.

Momentalisht, 33-vjeçari ka realizuar tre gola dhe ka po aq asistime në shtatë ndeshje që prej se iu bashkua Santosit.

Neymar sidoqoftë ka kontratë me klubin brazilian deri në verë, që do të thotë se ai mund t’i bashkohet Barcelonës falas.

Barcelona i ka vendosur Neymarit një sfidë nëse dëshiron të rikthehet në klub / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Share.
Exit mobile version