Jasir Asani është ndër lojtarët e parë që ka mbërritur në Tiranë për të nisur përgatitjet për Evropianin.

Asani thotë se ndaj Italisë, Kroacisë dhe Spanjës do të zbresin në fushë me dëshirën që patën në fazën kualifikuese, për të fituar çdo ndeshje.

“Kemi lojtarë që hyjnë në fushë me mentalitet fituesi. Nuk është rastësi që kemi ardhur në Evropian dhe duhet ta bëjmë surprizën më të madhe”, tha ai.

Sulmuesi kuqezi shikon përtej ndeshjeve të grupit.

“Pse mos ta kalojmë grupin. Besoj se me tifozët do t’ia dalim që ndeshjen e parë”, u shpreh ai për Tv Klan.

Shënuesi i 3 golave në fushatën kualifikuese të Evropianit ka ende për të dhënë. Asani beson se do të tundë përsëri rrjetën.

“Shumë më pyesin a do të shënosh ndaj Donnarumma-s, Kroacisë apo Spanjës. E kam një ndjesi që do të shënoj kundër Italisë dhe kam një ndjenjë që do të bëjmë gjëra të mëdha atje”, tha Asani.

Shqipëria e nis Evropianin më 15 Qershor në Dortmund, pikërisht ndaj ekipit kampion në fuqi Italisë.

Në 4 ndeshjet e mëparshme Kombëtarja ka vetëm humbje, por Kuqezinjtë shpresojnë të bëjnë kthesën në finalet e Euro 2024.

Asani flet për Euro 2024: E ndjej që do të shënojë kundër Italisë / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Share.
Exit mobile version