Policia e Kosovës ka arrestuar një të dyshuar për sulm ndaj futbollistit Belgin Jashari, gjatë një ndeshje futbolli në Obiliq.
I dyshuari është një 47 vjeçar, njofton Policia. Ai është arrestuar ditën e djeshme dhe është ndaluar për 48 orë.
“Policia e Kosovës ka ndërmarrë veprime urgjente hetimore lidhur me një incident të ndodhur gjatë një ndeshjeje futbolli në Obiliq.
Sipas informacioneve të disponueshme, më 25 prill 2025, është identifikuar dhe intervistuar në prani të prindit i dëmtuari, lojtari B.J.
Ndërsa më 26 prill 2025, është identifikuar dhe intervistuar i dyshuari M.K., i lindur në vitin 1978. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar rasti penal për veprën penale “Sulmi”, dhe i dyshuari është ndaluar për 48 orë2, thuhet në njoftim.
Gjatë ditës, Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka reaguar për rastin e futbollistit të ri 15 vjeçar Belgin Jasharit.
Përmes një komunikate për media, FFK ka thënë se dënon ashpër dhunën fizike dhe verbale ndaj futbollistit Jashari.
“FFK i qëndron pranë Belginit dhe çdo sportisti që përballet me padrejtësi të tilla. Jemi të vendosur të mbrojmë të drejtat e të gjithë futbollistëve tanë dhe, në vazhdimësi, punojmë për një ambient të lirë nga diskriminimi dhe paragjykimet”, thuhet në reagim./Reporteri.net/
Arrestohet i dyshuari për sulmin ndaj futbollistit Belgin Jashari / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.