
Arnold Gjergjaj, zemërbuti me dorën e hekurt, hap një kapitull të ri në jetën e tij. Gjergjaj njoftoi të mërkurën tërheqjen nga boksi profesionist.
Pensionimin e bëri të ditur gjatë një konference të mbajtur në palestrën “Arnold BoxFit” në Pratteln të Zvicrës. Ai ka kujtuar momentet e karrierës profesioniste në boks që zgjati një dekadë e gjysmë.
“Kur zgjohem në mëngjes tani ndihem shumë më i lirë. Presioni ka ikur”, ka thënë Gjergjaj, shkruajnë mediumet zvicerane.
40-vjeçari është në paqe me veten.
“Kam luftuar vazhdimisht me problemet e zemrës gjatë gjithë karrierës sime”, është shprehur ai.
Trajneri, menaxheri dhe këshilltari i boksierit me nofkën “Kobra”, Angelo Gallina, kujton një seancë stërvitore në Nice në vitin 2012, kur Gjergjajt iu desh të ndalej për herë të parë për shkak të shqetësimit fizik.
“Mendova se kishte të bënte me nxehtësinë prej 40 gradë”, ka zbuluar Gallina.
Gjergjaj u lind në Gjakovë, ndërsa në moshën 14-vjeçare bashkë me familjen u vendosën në Zvicër. U shndërrua në boksierin më të suksesshëm të kategorisë së rëndë në histori të Zvicrës. Gjergjaj në profesionalizëm ka 38 fitore, prej tyre 27 me ndërprerje. Ka edhe tri humbje.
Më 21 maj të vitit 2016 ai boksoi në Londër kundër ish-kampionit të botës, David Haye.
“Kobra” u mposht herët me nokaut në “O2 Arena” të Londrës, e që ishte edhe humbja e tij e parë në boksin profesionist.
Ai ka treguar se për vendimin për t’u tërhequr nga boksi është këshilluar edhe me gruan e tij Martën dhe vëllain Antonin.
“Unë jam një burrë i lumtur. Kam një grua dhe një djalë të shkëlqyer. Është koha për një kapitull të ri.
Sigurisht që nuk do të tërhiqem plotësisht nga boksi. Kam mendimet e mia, por tani është koha për pak pushim”, është shprehur Gjergjaj.
Arnold Gjergjaj i jep fund karrierës në boks / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.