Amir Rrahmani mund të largohet nga Napoli në fund të këtij sezoni.
Lajmin e ka bërë të ditur sot mediumi italian “Il Roma”.
Sipas gazetarit të këtij mediumi, Giovanni Scotto, kapiteni i Kombëtares së Kosovës i ka marrë disa oferta dhe gjatë verës do të jetë koha e duhur që të shitet nga napolitanët.
Liderët e Serie A thuhet se tashmë e kanë gjetur zëvendësuesin e ish-futbollistit të Dinamo Zagrebit e të Veronës.
Bëhet fjalë për futbollistin e Fiorentinës, Pietro Comuzzo, të cilin klubi nga “Diego Maradona” mund të marrë në huazim dyvjeçar për 5 milionë euro, me detyrim të blerjes së përcaktuar në 25 milionë euro.
Mbetet të shihet ndërkohë se cili do të jetë destinacioni i ardhshëm i Amir Rrahmanit, i cili ka qenë njëri prej mbrojtësve më të mirë në Serie A në vitet e fundit.
Ai e ka fituar titullin e kampionit me napolitanët nën drejtimin e trajnerit Luciano Spalletti, ndërsa është në rrugë të mbarë për ta bërë të njëjtën gjë me trajnerin aktual, Antonio Conte.
Amir Rrahmani do të largohet nga Napoli gjatë verës / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.