Organizata Kriminale e drejtuar nga Suel Çela, ende në kërkim nga drejtësia, kishte për qëllim të kontrollonte territorin e Shqipërisë së Mesme përmes dhunës e krimeve monstruoze ndaj grupeve rivale.
SPAK zbardhi sot se nën urdhrat e tij është vrarë në Belgjikë, Bledar Muça, ndërsa mbeti në tentative vrasja e dy personave të tjerë, Ardian Çapja dhe Elton Kila.
Po ashtu me anëtarët e bandës së drejtuar prej tij, Suel Çela tentoi të trafikojë një sasi rekord kokaine rreth 1 mijë kilogramë nga Amerika Latine, në dy ngarkesa të ndryshme.
Megjithatë, më shqetësuese është se Suel Çela, sipas SPAK kishte korruptuar gjyqtarë dhe oficerë të lartë të policisë.
SPAK: Organizata kishte arritur të korruptonte funksionarë të policisë së shtetit Dedan Gjoni dhe të sistemit gjyqësor Pajtime Fetahu të cilët duke shfrytëzuar pozicionin e tyre zyrtar e ndihmonin organizatën me informacione, duke ofruar gjithashtu lehtësira dhe ndikime në sistemin gjyqësor në këmbim të favoreve dhe përfitimeve materiale. Për t’u theksuar është aftësia e organizatës që të ndikojë tek trupa gjyqësore me qëllim që të rëndohej pozita apo masa e dënimit që do te jepej në ngarkim të anëtarëve të grupit kriminal që konsideroheshin si kundërshtarë të tyre.
Përmes dy gazetarëve, Elton Qyno dhe Artan Hoxha, SPAK thotë se Suel Çela, që njihet edhe me emrin Marius Lulaj, ka manipuluar perceptimin publik për rivalët e tij, duke i konsideruar ata të paprekshëm pasi mbrohen nga politika. Gazetarët po hetohen për korrupsion aktiv në sektorin privat.
SPAK: Kjo strategji, e cila përfshin manipulimin e informacionit dhe ndikimin në opinionin publik, jo vetëm që do të rriste pozitat e tij, dhe në të njëjtën kohë do të dëmtonte interesat e rivalëve. Dyshohet se këto synime i ka realizuar përmes bashkëpunimit me gazetarët Artan Hoxha dhe Elton Qyno, të cilët kundrejt përfitimeve monetare të paligjshme kanë mbajtur qëndrime në media, si dhe kanë publikuar artikuj dhe video që keqinformonin dhe manipulonin opinionin publik.
I gjithë aktiviteti i paligjshëm financohej nga paratë që përfitoheshin nga trafiku i lëndëve narkotike nga Amerika Latine drejt vendeve si Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Belgjika dhe Holanda.
Një pjesë e të ardhurave, SPAK ka arritur të provojë se investohej sërish në blerje droge, në cash, në biznese në dukje të rregullt dhe në blerje influence ndaj zyrtarëve të policisë, drejtësisë, medias, e biznesit.
Nga 21 personat për të cilët u lëshuan urdhërarreste, për 18 prej tyre është caktuar masa arrest në burg, për dy gazetarët u vendos detyrim paraqitje, ndërsa për avokaten e vetë Suel Çelës, Blerina Beqiri, arrest në shtëpi
Ndaj tyre rëndojnë akuza shumë të rënda, nga vrasja me paramendim, një herë e realizuar, dy herë e mbetur në tentativë, sigurimi i kushteve për të vrarë, trafik ndërkombëtar droge, korrupsion aktiv ndaj funksionarëve të drejtësisë dhe në sektorin privat./vizionplus.tv