Dy vëllezër, Gëzim dhe Eduart Frroku, pronarë të një hoteli, janë autorët e vrasjes së dyfishtë mbrëmjen e djeshme në Velipojë. Viktimë e të shtënave me armë kanë mbetur dy kunetërit Ersild Ishmi, 33 vjeç dhe Arsid Hoxha, 22 vjeç.
Zanafilla e konfliktit ka nisur dy muaj më parë, për të “larë hesapet” mbrëmjen e 19 gushtit me përdorimin e armës.
Vëllai i autorëve Zef Frroku ka akuzuar drejtësinë si përgjegjëse të ngjarjes. Sipas tij, policia e kishte arrestuar njërin nga viktimat, Ersild Ishmi, por gjykata dhe prokuroria e kanë lënë të lirë pas tre ditësh.
“Kam qenë në Bushat dhe nuk do gjë mirë për këtë histori, por vetëm di që më parë kanë ardhur dhe janë konfliktuar para hotelit të vëllait tim. Ai zotëria ka nxjerrë armën, sikur e kemi parë në televizor, dhe e ka marrë shteti e ka çuar në burg dhe e kanë liruar për dy ditë.
Ai prokuror dhe ai gjykatës që i ka lëshuar nuk i ka bërë mirë as shtetit, as familjes së atij dhe as neve”, tha vëllai i autorëve.
I pyetur nëse ka komunikuar me vëllezërit dhe nëse do vetëdorëzohen në polici, Zef Frroku u shpreh:
“Nuk e di se ku ndodhen dhe nuk kemi komunikim me ta. Këtij shteti është vështirë t’i dorëzohet kush. Këtyre prokurorëve është vështirë tu dorëzohet kush, sepse janë duke e bërë rrush e kumblla këtë vend. Janë duke marrë në qafë njerëzit e ndershëm dhe po favorizojnë kriminelët”.
Vëllai i autorëve ka edhe një apel për shtetin.
“Vetëm drejtësi, nuk kërkoj asgjë prej shtetit. Policia ka bërë punën e saj dhe i ka çuar në burg, prokurorët dhe gjyqtarët i kanë nxjerrë”, tha ai./vizionplus.tv